PDIU: Të njihet minoriteti çam në Greqi

25/11/2015 00:00

PDIU kërkoi publikisht nga presidenti dhe qeveria që të kërkojnë pranë autoriteteve greke njohjen e minoritetit çam në Greqi.

Reagimi i kësaj partie erdhi pas transmetimit të emisionit ekskluziv në Top Channel, ku erdhën dëshmi mbi ekzistencën e këtij minoriteti në krahinen e Camërisë.

“PDIU-ja e ka ngritur zërin shpesh mbi këtë të vërtetë. Nuk kanë munguar ata të cilët e kanë cilësuar diçka të tillë si joekzistente, mirëpo rrëfimi i djeshëm i një gazetari i cili është shpallur “non grata” vetëm se thotë të vërtetën, nxorri në pah të pamohueshmen. PDIU-ja, shoqata “Camëria”, Klubi i Patriotëve të Rinj dhe çdo shqiptar i kërkon sot në mënyrë zyrtare Presidentit të Republikës, kryeministrit, ministrit të Punëve të Jashtme dhe çdo instance tjetër shtetërore të ngrenë çështjen e pakicës së mbetur të shqiptarëve të Camërisë ndaj homologëve të tyre grekë dhe në Bashkimin Europian. Kërkesa e palës shqiptare duhet të jetë njohja zyrtare e statusit të pakicës kombëtare të shqiptarëve të Camërisë. Atyre u mohohet sot e drejta e të vetëshpallurit shqiptar, e drejta e arsimit dhe komunikimit në gjuhën amtare. Do të jetë e pafalshme nëse shteti shqiptar vazhdon të heshtë”, deklaroi Ardit Bido.

Top Channel