Gjermania, edhe njëherë bëhet nismëtare e mbajtjes në fokus të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ministria e Jashtme e vendit më të rëndësishëm në BE mblodhi në Berlin shefat e diplomacive të vendeve të Ballkanit, për të analizuar – pas publikimit të progres raporteve, – stadin ku është secili vend.
Në aktivitetin e organizuar bashkë me Italinë, Gjermania i ka bërë të qartë sërish Shqipërisë se, cila është rruga për të hapur negociatat.
“Shqipëria është në rrugë të mbarë dhe duhet të vijojë tashmë me detyrën e vështirë të një reforme tërësore dhe të thellë të sistemit të drejtësisë”, tha Frank-Walter Steinmeier, ministër i Jashtëm i Gjermanisë.
E ndërsa për Gjermaninë s’ka asnjë dyshim se, vetëm nga reforma në drejtësi kalon rruga për hapjen e negociatave, Italia, e quajtur ndryshe “avokatja e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së”, ritheksoi përmes ministrit të saj të Jashtëm, Paolo Gentilioni, se Shqipëria duhet të ecë me hapjen e negociatave.
Ministri yne i Jashtëm, Ditmir Bushati theksoi rëndësinë që ka Bashkimi Europian për vendet e Ballkanit Perëndimor, si forcë transformuese e jetës ekonomike, politike dhe sociale.
“Për ne, BE është forca gravitacionale transformuese. Duhet treguar kujdes nga Bashkimi Europian, në mënyrë që kriza të tilla, si ajo e refugjatëve, të mos ndikojnë në politikën e zgjerimit”, tha Ditmir Bushati.
Kriza e refugjatëve dhe sfidat e përbashkëta kundër terrorizmit patën emëruesin e përbashkët të të gjithë ministrave të Jashtëm të unionit dhe vendeve të Ballkanit, për të pasur më shumë bashkëpunim dhe solidaritet.
Top Channel