Golden State vendos rekord në NBA: 16 fitore dhe 0 humbje

25/11/2015 09:55

Askush si Golden State Warriors në kampionatin e basketbollit amerikan NBA. Skuadra kampione në fuqi shkatërroi Los Angeles Lakers në ndeshjen e saj të radhës në “Oracle Arena” me rezultatin 111-77, duke shënuar fitoren e 16 radhazi, për të vendosur një rekord historik në këtë kampionat për startin më të mirë të sezonit, me 16 fitore e asnjë humbje.

Skuadra e Warriors nuk e pati aspak të vështirë sfidën me Los Angeles Lakers, që prej kohësh është shndërruar në hijen e vetvetes. Stephen Curry ishte sërish më i miri në parket për Golden State, edhe pse e mbylli sfidën me “vetëm” 24 pikë të shënuara, statisikë inferiore kjo në krahasim me atë çfarë bën normalisht ky lojtar, i cili tashmë krahasohet më Michael Jordan.

Por Golden State nuk është vetëm Curry. Në këtë skuadër mund të përmendim edhe emra të tilllë si Green apo Barbosa, të cilët e mbyllën këtë sfidë me kalifornianët respektivisht me 18 dhe 13 pikë. Pas arkivimit të këtij rekordi, Golden State vë në shënjestrën e tij një tjetër, atë të Chicago Bulls në sezonin 1995-96, skuadër që e mbylli sezonin me një bilanc prej 72 fitoresh dhe vetëm 10 humbjesh.

Fitore shënoi edhe Chicago Bulls që mposhti Portland Trail Blazers në fushën e këtij të fundit me rezultatin 93-88. Butler me 22 pikë, Pau Gasol me 14 topa në tabelë dhe Derrick Rose me 6 asist ishin protagonistët për skuadrën nga Ilinois, që regjistroi suksesin e 9 sezonal, duke u pozicionuar në vendin e tretë në Konferencën e Lindjes.

Në ndeshjet e tjera të NBA, Atlanta Hawks fitoi me Boston Celtics 121-97, Washington Wizards u mund nga Indiana Pacers 106-123, Memphis Grizzlies mposhti Dallas Mavericks 110-96, ndërsa Los Angeles Clippers mundi Denver Nuggets 111-94.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA