Bllokimi i prodhimeve shqiptare nga pala maqedonase mund të dëmtojë këmbimin tregtar midis dy vendeve. Për këtë është i vetëdijshëm ministri i Ekonomisë në Maqedoni, Bekim Neziri, i cili tha se Shqipëria ka të drejtë të zbatojë masa reciprociteti nëse problemi përsëritet.
Megjithatë, për të mos ndodhur një gjë e tillë, ai paralajmëroi se do të angazhohet që Ministria e Bujqësisë të thjeshtëzojë procedurat e kontrollit për mallrat që hyjnë në Maqedoni.
“Në mbledhjen e ardhshme të qeverisë, unë do të marr iniciativë që rregullorja e brendshme e Ministrisë së Bujqësisë të ndryshojë dhe të gjithë transportuesit që sjellin produkte bujqësore në Maqedoni të mund t’i dërgojnë mallrat e tyre në frigorifer derisa të presin rezultatet nga kontrolli. Në këtë mënyrë nuk do të shkelen parimet e CEFTA-s”, deklaroi Neziri.
Ai tha se problemi me bllokadën e produkteve shqiptare është zgjidhur mbrëmjen e së martës, menjëherë pasi është kontaktuar nga kolegu i tij shqiptar Arben Ahmetaj.
“Nuk ka asnjë kamion që pret, as sot, as nesër, as pasnesër. Derisa të ndryshohet rregullorja e Ministrisë së Bujqësisë, ne jemi marrë vesh që asnjë kamion të mos ndalohet në kufi”, nënvizoi Neziri.
Këtë vit Shqipëria ka rritur eksportin drejt Maqedonisë në krahasim me vitin e kaluar. Megjithatë, Maqedonia akoma vijon të ketë sufiçit në këmbimin tregtar midis dy vendeve, që shkon në rreth 10 milionë euro.
Deri në muajin tetor të këtij viti, Shqipëria ka importuar nga Maqedonia mallra me vlerë rreth 41 milionë euro, ndërsa ka eksportuar drejt Maqedonisë rreth 32 milionë euro.
Top Channel