
Red Bulli ende nuk ka gjetur një kompani furnizuese me motorë dhe kjo ka bërë që Diter Mateschitz të humbasë durimin. Pronari i skuadrës austriake, në një intervistë për “Speedweek“ deklaroi se nuk është i sigurt për të ardhmen e Red Bullit në Formulën 1.
Situata që po përjeton kjo skuadër prej muajsh është kthyer në temë diskutimi. Skuderia austriake i ndërpreu para kohe marrëdhëniet me Renault, ndërkohë që Merdecesi dhe Ferrari refuzuan ta ndihmojnë atë me motorë dhe kjo detyroi drejtuesit e saj që në disa raste të flasin edhe për një largim të mundshëm nga Formula 1.
“Nuk mund të jap ende një përgjigje përfundimtare nëse do të jemi në Botërorin e Formulës 1 në vitin 2016, pasi nuk e dimë nëse do të mund të sigurojmë motorë. Po e humbasim durimin me këtë situatë“, tha Mateschitz.
Kjo deklaratë e tij bie ndesh me atë të Daniel Ricciardos, i cili përpara disa ditësh në një intervistë për motorsport.com u shfaq shumë optimist në zgjidhjen e kësaj çështjeje në fundjavën e garës përmbyllëse të Botërorit, në Abu Dabi.
Top Channel