
Ferrari ishte skuadra që u përpoq t’i hapte më shumë probleme Mercedesit në Botërorin e Formulë 1 të këtij viti. “Kokëkuqja” italiane gjatë vitit 2015 u shfaq shumë herë më mirë se në vitet e kaluara dhe këtë e tregon fakti se ajo fitoi 3 gara, ndërkohë që shënoi edhe shumë podiume me Sebastian Vettel, por edhe me Raikkonen.
Për këtë paraqitje mjaft të mirë të Ferrarit foli edhe Bernie Ecclestone, i cili në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport” deklaroi se rezultatet e skuadrës italiane ishin lajmi më i mirë për këtë kampionat.
“Pjesa më e mirë e Formulës 1 mund të përmblidhet me një fjalë: Ferrari. Rikthimi i kësaj skuadre te fitorja ishte shumë i rëndësishëm për këtë kampionat. Në fakt, një gjë e tillë pritej, por askush nuk e mendonte se kjo do të ndodhte kaq shpejt”, tha Ecclestone, i cili shtoi se kalimi i 4 herë kampionit të botës Sebastian Vettel pati një impakt pozitiv për makinën italiane.
“Unë e mbështeta kalimin e Vettel te Ferrari dhe kur pashë që ai fitoi garën në Sepang, për mua kjo ishte diçka fantastike”, deklaroi Ecclestone.
Top Channel