Të ardhurat totale në buxhet për dhjetëmujorin ishin 10.9 miliardë lekë më të ulëta se plani. Përmes një njoftimi për shtyp, Ministria e Financave tha se për 10-mujorin u mblodhën 311.2 miliardë lekë të ardhura nga 322.1 miliardë që ishin planifikuar.
Ministria thotë se shkaqet e këtij mosrealizimi janë të lidhur me faktorë të jashtëm. Më konkretisht, sipas saj, ndër shkaqet kryesore janë çmimet e ulëta të naftës, rënia e importeve të energjisë dhe rritja e importeve të mallrave të përjashtuar nga TVSH-ja si makineritë dhe pajisjet. Veç këtyre, një tjetër shkak, sipas ministrisë, janë normat e ulëta të interesave.
Ndërkohë, në nivel institucionesh pjesa dërrmuese e mosrealizimeve vijnë nga doganat, ndërsa tatimet e kanë realizuar planin mbi 99.8%.
Top Channel