Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka ftuar opozitën që të shmangë dhunën në institucione dhe nëpër qytet e të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin e Komunave Serbe.
Kreu i ekzekutivit kosovar për herë të parë ka folur për mundësinë e anulimit të marrëveshjes me Serbinë, nëse qoftë dhe një pikë e vetme vërtetohet nga Gjykata se bie ndesh me Kushtetutën: “Mund të them se asnjë element i marrëveshjes ose asnjë element i statutit nuk do të kalojë nëqoftëse Gjykata Kushtetuese thotë se ai është në harmoni të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Nëse thuhet se edhe marrëveshja si tërësi nuk është, atëherë marrëveshja nuk zbatohet, por kthehet prapë në Bruksel dhe çdo gjë që arrihet atje prapë do të arrihet vetëm në harmoni me mendimin dhe vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese”.
Mustafa ka folur edhe për marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, për të cilën po ashtu tha se ka kërkuar ekspertizë nga Bashkimi Evropian dhe nëse dikush sjell një argument për ndonjë pronë të mbetur jashtë kufijve të Kosovës, ai tha se marrëveshja do të rishikohet.
Ndërsa duke folur për vizitën e shefit të shtabit të përgjithshëm të ushtrisë serbe të dielën në Prishtinë, kryeministri Mustafa tha se qeveria nuk ka pasur asnjë informatë, pasi NATO është ende kompetente për kontaktet me ushtrinë e Serbisë, kur është në pyetje hapësira ajrore e Kosovës: “Natyrisht se asnjëri prej nesh nuk e parapëlqejmë që ta shohim Dikovciçin në Prishtinë. Do të dëshironim që atë ta shohim para organeve të drejtësisë, që së pari të zbardhen të gjitha dyshimet që janë për të, që njësia e tij i ka bërë në Kosovë e kurrsesi ta shohim këtu. Mirëpo, marrëveshja si e tillë është marrëveshje, e cila është bërë me autorizimin e NATO-s”.
Mustafa ka paralajmëruar se të mërkurën do të udhëtojë për vizitë zyrtare në Gjermani për të takuar krerët e disa landeve, për të parë mundësinë e bashkëpunimit për zhvillimin ekonomik të vendit.
Top Channel