Kryetari i Bashkisë së Tiranës thotë se situata me të cilën po përballet kryeqyteti është e pazakontë dhe se me parashikimet për përkeqësim në ditët që vijnë, u bën thirrje qytetarëve të mos hedhin mbetje që më pas bllokojnë kanalizimet.
“I gjithë stafi ynë është në terren. U bëj thirrje qytetarëve që të na ndihmojnë. Ndihma më e madhe që mund të japin është të mos hedhin qese dhe shishe plastike nëpër kanalizime. Vetëm dje kemi hequr sërish 50 tonë qese nga kanalizimet e Tiranës”, u shpreh Veliaj.
Por këshilltarët e djathtë në Këshillin Bashkiak të kryeqytetit thonë se Veliaj ka dështuar në menaxhimin e situatës dhe se do të jenë të gatshëm në çdo njësi bashkiake të mbledhin denoncimet e qytetarëve.
Reila Bozdo tha: “70% e qytetarëve të Tiranës janë pa ujë në shtëpitë e tyre. Një pjesë e madhe e familjeve nuk kanë as drita. Qindra familje janë të përmbytura. Ku është kryebashkiaku? I lutemi qytetarëve të kontaktojnë me strukturat tona. Jemi këtu për t’i dhënë zë halleve të qytetarëve”.
Bashkia e Tiranës ndërkaq po vazhdon aksionin për prishjen e ndërtimeve mbi kolektorë në zonën e Selitës, Laprakës, Don Boskos dhe njësisë 4 tek Bregu i Lumit. Në një zonë të Bashkisë së Kamzës po ashtu janë evakuuar 63 banorë.
Top Channel