McLaren Honda pritet të përballet me një dimër të vështirë në përpjekjet e saj për t’u rikthyer në nivelet më të larta të Botërorit të Formulës 1. Kjo është ajo që ka deklaruar ish-kampioni i botës Jenson Button, me britanikun që pranoi problemet me të cilat është përballur skuadra nga Woking gjatë këtij sezoni.
“E dinim që kampionati i këtij viti do të ishte problematik për ne. Garat e fundit në mënyrë të veçantë ishin shumë të vështira. Do të ishte mirë që të kishim një makinë të një besueshmërie më të lartë dhe ne po përpiqemi që të përmirësohemi në këtë aspekt për vitin tjetër, pasi viti 2015 për ne ishte më shumë një periudhë testimesh. Në disa gara gjatë këtij kampionati bëmë paraqitje të mira, sigurisht edhe falë disa rrethanave jo të zakonshme, por në të shumtën e kohës ne kemi qenë më shumë duke testuar sesa garuar. Jemi përpjekur të provojmë disa gjëra me njësinë e fuqisë së motorit apo edhe me shasinë dhe aerodinamikën e makinës. Gjithsesi, kemi përpara një dimër të gjatë dhe të vështirë për punën tonë në synimin për t’u kthyer në majat më të larta të Formulës 1”, shpjegoi piloti britanik.
Button më pas bëri sërish të ditur arsyet pse ai vendosi të qëndrojë te McLaren edhe sezonin e ardhshëm: “Pikëpamjet e mia nuk kanë ndryshuar që pas garës së Japonisë, kur bëra të ditur qëndrimin tim këtu. E desha këtë qëndrim sepse kam besim se viti i ardhshëm do të jetë më i mirë për ne. Më pëlqen pasioni me të cilin punohet te McLaren-Honda, nuk ka rëndësi nëse ajo bëhet në Sakura apo Woking”.
Top Channel