Dekriminalizimi, Brukseli përshëndet kompromisin PS-PD

24/11/2015 00:00

Brukseli përgëzon Tiranën për arritjen e kompromisit PS-PD, mbi kryerjen e ndryshimeve ligjore të nevojshme për pastrimin e politikës nga elementë të inkriminuar.

“Komisioni Europian vë në dukje me pozitivitet se, tashmë është arritur konsensusi i gjerë politik mbi një projektligj, që parashikon përjashtimin e autorëve të veprave penale nga postet publike (i ashtuquajturi ‘dekriminalizim i Parlamentit’)”, shprehet zëdhënësja Maja Koçijançiç për Top Channel.

“Siç është përmendur në raportin e progresit të vitit 2015 për Shqipërinë, – kujton ajo, – Komisioni konstaton se miratimi i një ligji të tillë do të ishte një zhvillim shumë i rëndësishëm, i cili mund të rrisë besimin e qytetarëve te përfaqësuesit politikë dhe tek institucionet publike”.

I kontaktuar nga Top Channel, raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein u shpreh “i kënaqur për progresin, që dëshmon për rrugën e Shqipërisë drejt BE-së”, sipas tij.

Pas mirëpritjes së “marrëveshjes mbi draftin përfundimtar të dekriminalizimit”, socialdemokrati gjerman theksoi se, “tashmë ka shumë rëndësi miratimi i ligjeve me shumicë të gjerë në seancë plenare dhe, më pas, ndjekja me punën e vështirë të zbatimit në terren”.

Ngjashëm vlerëson dhe ndjekësraportuesi për Shqipërinë në PPE, Eduard Kukan, i cili me anë të një deklarate për shtyp përgëzon për këtë “politikanët e partive kryesore shqiptare”.

“Besoj fuqishëm se, pas miratimit dhe zbatimit, këto ligje mund të përmirësojnë funksionimin e institucioneve demokratike në Shqipëri dhe, më e rëndësishmja, të rikthejnë besimin e qytetarëve shqiptarë në politikë”, shprehet Kukan. Sipas tij, “është me rëndësi, që këto ligje të trajtojnë një tablo të gjerë politike dhe zyrtarë të lartë publikë me rekorde kriminale po ashtu”.

“Marrëveshja përfundimtare, miratimi dhe zbatimi i plotë i saj janë thelbësore për suksesin e këtij procesi. Jam i bindur se ligjet mbi dekriminalizimin, së bashku me reformën e gjyqësorit do të dëshmojnë se janë jetike për hapin e radhës të procesit integrues të Shqipërisë në BE”, thuhet në fund të njoftimit për shtyp të Kukanit.

Të përfshirë për marrëveshjen e dhjetorit të 2014-s mes palëve, dyshja Kukan-Fleckenstein priste prej javësh një kompromis të tillë PS-PD mbi dekriminalizimin.

Pas vizitës së tetorit në Tiranë, i majti gjerman Fleckenstein u shpreh publikisht disa herë mbi këtë, ndërsa hezitonte të fliste i djathti sllovak Kukan, më i sprovuar me politikanët shqiptarë. Pavarësisht pritshmërive të tyre, marrëveshja PS-PD nuk u arrit në Bruksel pas takimit të fundit ndërparlamentar.

Burime konfidenciale pranë zyrave të të dy eurodeputetëve rrëfyen për Top Channel se, pretekst u bë demokrati Aldo Bumçi, i cili, ndryshe nga socialisti Taulant Balla, “nuk kishte mandat nga kryetari i partisë” për një takim të përbashkët me Kukan dhe Fleckenstein. Kjo detyroi dy eurodeputetët të përgatisnin më 16 nëntor, një letër në formë drafti mbi dekriminalizimin, drejtuar kryesocialistit Rama dhe kryedemokratit Basha, të cilën e disponon edhe Top Channel.

Por, arritja e marrëveshjes të premten e kaluar rrëzoi planin për këtë letër, e cila tashmë pritet të riformulohet përpara dërgimit në Tiranë.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel