Medaljet në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes që po zhvillohet në Houston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duket se kanë qenë larg për peshëngritësit tanë, por synimi i tyre ishte grumbullimi i pikëve për në Olimpiadën e Brazilit.
Briken Calja bëri një paraqitje të mirë edhe pse rikthehej pas një pezullimi 2-vjeçar dhe gjatë garës pati probleme fizike, ai u rendit në vendin e tetë në dygarësh në peshën deri në 69 kg. Shkodrani Erkand Qerimaj u rendit në vendin e pestë në grupin B në peshën deri në 77 kg.
Rezultatet për peshëngritësin shqiptar do të kishin qenë edhe më të mira nëse nuk do të kishte pasur probleme me supin e majtë. Calja dështoi në dy provat e para në stilin e shkëputjes me 143 kilogramë, ndërsa arriti ta ngrejë këtë peshë në provën e tretë. Ai u rendit në vendin e 13 në këtë stil.
24-vjeçari Calja bëri një paraqitje më të mirë në stilin e shtytjes duke kryer dy prova të suksesshme. Ai realizoi me sukses provën e parë me 177 kilogramë, po ashtu edhe të dytën me 183 kg, ndërsa dështoi në provën e tretë, ku shtanga shkoi në 187 kilogramë. Me 326 kilogramë në total, ai u rendit në vendin e tetë edhe në dygarësh.
Më pas ishte radha e Qerimajt, i cili garonte në Grupin B në peshën deri në 77 kilogramë. Në stilin e shkëputjes, ai realizoi me sukses dy provat e para, 151 dhe 154 kg, ndërsa gaboi me 156 kg, në provën e tretë. Në këtë stil ai u rendit në vendin e 6.
Në shkëputje po dukej se gjithçka po shkonte mirë, pas ngritjes me sukses të dy provave të para, me 186 dhe 188 dhe nëse Qerimaj do të realizonte edhe provën e tretë me 193 kg, atëherë me siguri do të zinte një prej pozicioneve të kreut. Ai e mbylli këtë botëror me 342 kg në dygarësh në vendin e pestë në grupin B.
Megjithatë, peshëngritësit tanë e kishin deklaruar edhe para nisjes për në SHBA, se në këtë kampionat më të rëndësishme ishin pikët e grumbulluara, të cilat janë mjaft të rëndësishme për Olimpiadën e Brazilit dhe ky objektiv duket tashmë i arritur.
Top Channel