Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri kërkoi mbështetje që të mos përhapet panik për masat e marra nga policia. Ai ripërsëriti se këto janë masa të marra në bashkëpunim me partnerët.
“Të gjitha të dhënat nuk lënë vend për panik, ndaj do kërkoja që edhe mediat të mundohen të klasifikojnë si duhet çështjet e informacionit, për të gjetur balancën e duhur mes nevojës që kemi për të rritur kujdesin ndaj qytetarëve, por dhe duke evituar në maksimum panikun e panevojshëm”, deklaroi Tahiri.
Për ministrin e Brendshëm, nuk ka ndonjë rrezik të shtuar në vend, por nga ana tjetër ai kërkoi që të mos ketë shqetësime në lidhje me praninë e policëve të armatosur në rrugë.
“Këto janë masa parandaluese, të përkujdesit të lartë, por kjo nuk do të thotë se i përgjigjen çështjeve konkrete dhe unë nuk jam i autorizuar të ndaj me ju të gjithë informacionin që kam. Në vendet e tjera keni parë ushtrinë në rrugë, ndërkohë që në Shqipëri është një element shtesë i sigurisë, që qytetarët të konsiderojnë se çdo shqetësim e ndajmë bashkë”, nënvizoi Tahiri.
Deklarata e Tahirit erdhi pas përfundimit të mbledhjes së komisionit parlamentar të sigurisë kombëtare, i cili u mbajt me dyer të mbyllura.
Top Channel