“Askush të mos e mendojë Botërorin e Formulës 1 të vitit 2016 pa Red Bullin”. Ky është mesazhi i lëshuar nga Daniel Ricciardo në lidhje me të ardhmen e skuadrës austriake në kampionatin më të rëndësishëm të garave automobilistike. Red Bulli po përballet me probleme të mëdha, pasi ende nuk ka gjetur një kompani furnizuese me motorë dhe zgjidhja e vetme duket se do të jetë vazhdimi i bashkëpunimit me Renault.
Ricciardo deklaroi se pavarësisht gjithçkaje, Red Bulli do të paraqitet shumë më mirë sezonin e ardhshëm.
“Do të mësoj kur të më thonë se çfarë do të ndodhë me makinën. Në këtë moment nuk mund të them se jemi gati të luftojmë për titull sezonin e ardhshëm. Ajo që mund të deklaroj është se në vitin 2016 do të arrijmë rezultate më të mira se ngjitja 2 herë në podiume”, tha piloti australian.
Ricciardo përmendi edhe faktin se Mercedes, Ferrari dhe Honda refuzuan të ndihmojnë Red Bullin, që jo pak herë kërcënoi me largim nga Botërori i Formulës 1: “Sigurisht u shqetësuam disi për situatën e krijuar, por skuadra na konfrimoi se do të jemi në Botëror edhe vitin tjetër dhe kjo është diçka pozitive. Na vjen vërtet keq që disa kompani refuzuan të na ndihmojnë me motorë, por gjithsesi kjo nuk përbën problem për ne. Mendoj se çështja e furnizuesit me motorë do të zgjidhet javën e ardhshme”.
Top Channel