Pas tre fitoreve radhazi, Fiorentina është ndalur në shtëpi nga Empoli. Ndeshja u mbyll në barazim 2-2, por për vendasit mund të kishte shkuar edhe më keq.
Pritej një fitore e lehtë e Fiorentinës, por nuk rezultoi kështu, pasi Empoli shënoi dy herë në pjesën e parë, në fillim me Marko Livajan dhe më pas me Marcel Buechel. Me këtë rezultat përfunduan 45 minutat e para, ndërsa në pjesën e dytë vendasit treguan se jo më kot ishin në krye të Serisë A, duke barazuar rezultatin me Nikola Kalinic , i cili shënoi dy gola, por vetëm kaq pasi miqtë u mbrojtën mirë dhe arritën të merrnin një pikë në një fushë të vështirë.
Napoli, ku aktivizohet edhe mbrojtësi shqiptar Elseid Hysaj vazhdon ecurinë pozitive në këtë sezon, duke fituar me rezultatin 0-2 në Verona. Insigne dhe Higuain ishin autorët e dy golave të shënuar në pjesën e dytë. Hysaj zhvilloi një tjetër takim pozitiv, pavarësisht se në minutën e 57 u ndëshkua me kartonin e verdhë.
Të dielën u luajtën edhe 5 takime të tjera të Serisë A, ku Lacio nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 në fushën e saj ndaj Palermos. Atalanta u mposht 0-1 nga Torino, Kievo fitoi 2-1 në fushën e Karpit, ndërsa Udineze mori pikët e plota në shtëpi ndaj Sampdorias duke fituar 1-0. Pikët e plota këtë të diel i mori edhe Xhenova, e cila fitoi 2-1 ndaj Sasuolos.
Në mbrëmje, Interi ka mundësinë më të mirë për të marrë i vetëm kryesimin e Serisë A, pasi do të presë Frosinonen dhe një fitore ndaj skuadrës që këtë vit është ngjitur mes më të mirëve në Itali, do t’i jepte zikaltërve kryesimin me 30 pikë, ndërsa Napoli e Fiorentina kanë nga 28 pikë.
Top Channel