Vendi është gdhirë të dielën me reshje të dendura shiu dhe stuhi të forta. Në Tiranë, shumë rrugë u përmbytën, kryesisht në kryqëzime të rëndësishme lidhëse të kryeqytetit.
Në Kombinat ishte një nga pikat kritike. Por edhe në zonën e Laprakës, deri në mesditë, pothuajse e gjithë rruga ishte e mbuluar nga uji. Në rrjetet sociale u raportua edhe për përmbytjen disaminutëshe të një pjese të autostradës Tiranë-Durrës.
Situatë problematike është krijuar edhe në rrugën që lidh Tiranën me Elbasanin, ku qytetarët kanë raportuar për prani të shtuar të baltës dhe gurëve në rrugë, por pa e bllokuar atë.
Në Durrës, ku era dhe deti bëhen bashkë, gjendja duket më dramatike, por pa pasoja për punën në port.
Forca e detit nuk i kalon 6 ballët dhe raportohet se të gjitha anijet janë ankoruar. Lajmi më i keq i ditës vjen nga Peshkopia, ku një punëtor është rrëmbyer nga uji gjatë punës për pastrimin e një kanali. Policia e konsideron atë të zhdukur dhe thotë se po e kërkon.
Reshjet e dendura të shiut nuk kanë kaluar pa dëme edhe në shumë familje, përfshi disa banesa në Tiranë.
Në lumin e Lanës është vërejtur një fryrje e menjëhershme, por Bashkia e Tiranës thotë se e ka gjendjen nën kontroll. Përveç përmbytjes së disa rrugëve, ajo çfarë bie në sy në kryeqytet është numri i lartë i punëtorëve që pastrojnë rrugët nga gjethet e fundit të vjeshtës, në mënyrë që ato të mos bllokojnë kanalizimet.
Parashikimet meteorologjike tregojnë se, deri të dielën e ardhshme do të ketë reshje shiu dhe ulje temperaturash.
Top Channel