Këshilli i mandateve do të dërgojë për votim në seancën parlamentare dy qëndrime për rastin e mandatit të zonjës Leskaj.
Pas mbledhjes së Këshillit të Mandatave dhe Imuniteve, Ulsi Manja tha se me ligjin aktual të konfliktit të interesit, zonja Leskaj nuk ka asnjë shkelje.
“Është pozitiv fakti që pati mendime nga deputetët e të dy kaheve se ligji për konfliktin e interesit ka nevojë të sqarohet më tej për tu përputhur me Kushtetutën. Po sa kohë kemi këtë kuadër jemi të detyruar ta respektojmë dhe të japim vlerësimin tonë mbi këtë kuadër ligjor”, tha Ulsi Manja.
Më herët, në mbledhje PD argumentoi se ekzistojnë plotësisht kushtet për mbarimin e mandatit të deputetes socialiste, Valentina Leskaj, e cila sipas opozitës, ka shkelur Kushtetutën dhe ligjin për konfliktin e interesit të zyrtarëve të lartë.
Arben Ristani argumentoi pretendimin e opozitës në mbledhjen e Këshillit të Mandateve në Kuvend. Ai përmendi dy raste që lidhen me dy djemtë e deputetes Leskaj, që sipas opozitës, kanë përfituar para nga fondet publike.
“Njëri nga djemtë e deputetes Leskaj ka marrë nga pasuria publike me koncesion një segment të hekurudhës shqiptare. Fenomeni është bërë publik, ndërsa djali tjetër ka dy kontrata, një më 24 nëntor 2014 me Ministrinë e Bujqëisë, ku ka marrë 45 mln Lekë tenderim përmes firmës Abcons, ndërsa në rastin e dytë përmes firmës “Matrix Contructions” ka marrë 1 mln Euro kontrata të lidhura me institucione shtetërore dhe para publike”, tha Ristani.
Deputeti demokrat iu referua nenit 70 të Kushtetutës dhe ligjit për konfliktin e interesit dhe rasti në fjalë, sipas tij, plotëson të gjitha kushtet e papajtueshmërisë, ndaj mandati i Valentina Leskajt duhet të përfundojë menjëherë.
“Sipas Kushtetutës, nenit 70 të saj, deputetët nuk mund të ushtrojnë asnjë detyrë tjetër shtetërore dhe raste të tjera të papajtueshmërisë trajtohen sipas ligjit. Mandati i deputetit mbaron kur janë kushtet e papajtueshmërisë të përcaktuara në ligjin përkatës. Dhe në këtë rast, ligji për parandalimin e konfliktit të interesit në nenin 21 thotë: asnjë individ kur njësohet me një zyrtar nuk mund të lidhë kontratë apo nënkontratë me asnjë institucion publik. Pra, ligji i konfliktit të interesit ndalon lidhjen e kontratave publike nga djemtë madhorë të zyrtarit, në rastin konkret të deputetes. Mendojmë që janë kushtet për mbarimin e mandatit të deputetes Valentina Leskaj, sepse janë lidhur kontrata ku janë shfrytëzuar paratë publike”, deklaroi deputeti i Partisë Demokratike.
Ristani shtoi se kërkesa e PD-së vërtetohet edhe më shumë nga fakti që menjëherë pas denoncimit të opozitës, djemtë e deputetes Leskaj, sipas tij, kanë shitur pjesët e aksioneve në shoqëritë ku kanë qenë ortakë.
Ndërkohë, avokati i deputetes Leskaj deklaroi se kërkesa e opozitës nuk qëndron dhe se nuk bëhet fjalë për një shkelje të ligjit të parandalimit të konfliktit të interesit të zyrtarëve të lartë.
Top Channel