Votohet dekriminalizimi, kush preket nga ligji dorëzon mandatin

20/11/2015 00:00

Me votim unanim, mazhoranca dhe opozita bënë hapin e parë drejt procesit të dekriminalizimit të politikës dhe administratës publike. Një hap që mund të kushtojë mandate deputetësh, zyrtarësh apo të zgjedhurish lokalë.

Atë që nuk e bënë për 11 muaj, palët e dakortësuan për gati 2 orë me dyer të mbyllura. E vetmja pikë që nuk ranë dakord është testi i drogës. Për socialistët ai është një nen qesharak, që nuk e kanë vendet e Bashkimit Europian, ndërsa për demokratët është tregues i integritetit të zyrtarit.

Megjithatë, kur të votohet në seancë ky nen nuk do të prishë konsensusin. Komisioni do të vazhdojë të punojë edhe për ndryshimet kushtetuese dhe disa akte të tjera, që synojnë të bëjnë ligjin të zbatueshëm dhe efektiv në një kohë sa më të shkurtër.

“Ka afate kohore për miratimin e akteve, për fillimin e funksionimit të ligjit dhe afatet brenda të cilave kryhen verifikimet. Ajo që është me e rëndësishme për të gjithë është që sot askush të mos gjejë motive të zvarrisë këtë ligj dhe çdo kriminel të largohet nga funksionet publike”, tha Oerd Bylykbashi.

Ligji pritet të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm dhe ky për Partine Socialiste është një moment i rëndësishëm për vendin dhe imazhin e tij.

“Sot është një ditë e mirë për politikën shqiptare, sepse më në fund është mbyllur një proces i keqpërdorur për arsye politike në dëm të Shqipërisë sonë. Nga sot asnjë aktor politik shqiptar nuk mund të bëjë politikë në Europë duke sharë Shqipërinë si një shpellë kriminelësh”, tha Taulant Balla.

Ndërsa demokratët e shohin ligjin për dekriminalizim si një ndihmë për zgjedhje të lira, kurdo që ato të ndodhin.

“Kurdo të ndodhin zgjedhjet ky ligj do të jetë në fuqi. Ndoshta një qeveri teknike është ajo që do të garantonte zgjedhjet e shqiptarëve”, tha Bylykbashi.

Top Channel