Vasili: Pas dekriminalizimit, konsensus për reformën në drejtësi

20/11/2015 17:55

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, në një deklaratë për shtyp të mbajtur pasditen e së premtes ka përshëndetur votimin e projektligjit të dekriminalizimit të politikës dhe administratës publike.

Në fjalën e tij, Vasili ka nënvizuar se, votimi unanim i pr/ligjit tregoi se konsensusi mes palëve është i mundur.

“Arritja e këtij konsensusi duhet përshëndetur dhe njëkohësisht bashkë me të duhet të nxirren konkluzionet përkatëse për këtë veprim, që së pari tregoi se konsensusi është një sfidë e mundur”, ka deklaruar Vasili.

Ai ka vlerësuar se, ky votim hap rrugën për konsensuse të tjera dhe ai i radhës sipas tij duhet të jetë për reformën në drejtësi.

“Po nga kjo foltore, në ato momente kur dekriminalizimi dhe konsensusi dukeshin larg, ne kemi mbështetur fortë që konsensusi është i mundur dhe koha na dha të drejtë. Ndaj besojmë që edhe reforma në drejtësi i ka të gjitha mundësitë për të arritur një konsensus të ri”, ka thënë Vasili.

Ai ka theksuar se, reforma në drejtësi është urgjente për shkak të shqetësimit që përbën tek qytetarët, të cilët sipas tij kanë krijuar idenë e një drejtësie që nuk funksionon.

“Ta ndërtojmë pa humbur kohë edhe këtë konsensus të ri, sepse tashmë udha është e shtruar”, ka apeluar Vasili në deklaratën e tij.

Ai ka shprehur bindjen se ligji i miratuar do të japë efektet e pritura, “pasi është i qartë, konsensual e i zbatueshëm”. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA