Sanchez dhe Ozil, drejt rinovimit me Arsenalin

19/11/2015 12:50

Te Arsenali ka ardhur koha që të mendohet për kontratat e dy prej lojtarëve më të rëndësishëm të tij, Alexis Sanchez dhe Mesut Ozil. Sipas asaj që publikohet te tabloidi britanik “Daily Mirror”, sulmuesi kilian dhe përfaqësuesit e tij tashmë e kanë arritur një marrëveshje paraprake me drejtuesit e klubit londinez për nënshkrimin e një kontrate të re deri në vitin 2020, kontratë nga e cila Sanchez pritet të përfitojë 40 milionë paundë.

E gjithë kjo lëvizje e Arsenalit u bë duke parë interesin e shfaqur së fundmi nga Reali i Madridit për futbollistin kilian, i cili mbërriti në Londër në verën e vitit 2014, kur la skuadrën e Barcelonës për 33 milionë paundë.

Pas Sanchez, radhën për të rinovuar kontratën me Arsenalin do ta ketë Mesut Ozil, i cili këtë sezon po bën një paraqitje shumë të mirë dhe deri tani ka dhënë 10 asist, më shumë se çdokush tjetër në të gjitha ligat më të rëndësishme në Evropë. Ozil u bashkua me Arsenalin në vitin 2013, me “Topçinjtë” që derdhën në arkat e Realit të Madridit 42 milionë paundë, ndërkohë që me mesfushorin gjerman nënshkruan një kontratë me një pagë prej 140 mijë paundë në javë.

Tashmë, drejtuesit e Arsenalit kanë nisur bisedimet me futbollistin dhe agjentët e tij dhe shumë shpejt pritet që gjithçka të mbyllet. Mësohet se Arsenali i ka propozuar Ozilit një kontratë që shoqërohet edhe me një rritje të pagës në 160 mijë paundë në javë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA