
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka kërkoi në Parlament që kryeministri Edi Rama të përgjigjet për deklaratat e drejt për drejta të ambasadorit amerikan, Donald Lu.
“Para se të diskutojmë sa herë në ditë do të rruhen policët, do të doja që këtu të vinte kryeministri i vendit dhe t’i përgjigjej fillimisht deklaratave të rënda të ambasadorit të SHBA, deklarata që janë bërë publike dhe tani i dinë të gjithë shqiptarët, deklarata për deputetë të inkriminuar, ministra dhe gjyqtarë të korruptuar, deklarata që së fundmi përmendnin me emër kriminelë që janë lënë të lirë, nuk janë vënë para drejtësisë dhe këtë rast akuzat kanë qënë mëse të drejt për drejta, për ministrin Tahiri dhe këtë qeveri.
Kushdo e di që Shullazi nuk vajti fare para drejtësisë, Frroku u la i lirë të arratisej jo prej drejtësisë, por prej forcave të rendit, prandaj do të doja që këtu të vijnë e të përgjigjen për këto akuza”, tha Paloka.
Paloka u shpreh se për këto raste ka të dënuar, dhe jo siç tha ambasadori. Sekretari i përgjithshëm i PD-së, dhe kreu i grupit parlamentar të PD-së janë dënuar tha ai, se kanë thënë të njëjtat gjëra që tha edhe ambasadori.
“Njëkohësisht doja të bëja një korrigjim te deklarata e ambasadorit. Nuk është e vërtetë që askush nuk është dënuar për Shullazin dhe Frrokuin pasi është dënuar Sekretari i Përgjithshëm i PD, dhe kreu i grupit të PD, janë dënuar se fakti që kriminelë të tillë lirohen nga policë pasi janë miq të ministrit të Brendshëm. Këto denoncime të njëjta me ambasadorin amerikan, ne të dy jemi dënuar. Nuk e di se çdo të bëjë Rama a do ta hedhë dhe ambasadorin në gjyq për të nëjtat akuza. Nuk mund të diskutojmë ne sot se si duhet ta mbajën kapelen policët, ndërkohë që ministrin e akuzojnë jo vetëm opozita, jo vetëm mediat, po dhe ndërkombëtarët për lidhje direkte me krimin”, tha Paloka.
Top Channel