Arrihet pakti për dekriminalizimin; testi i drogës jo më pengesë

19/11/2015 19:40

Qëkur Parlamenti u angazhua me votë se do të bëntë procesin e dekriminalizimit të politikës dhe administratës publike, kanë kaluar 11 muaj, por marrëveshja ende nuk është zbatuar. Megjithatë, kjo nuk do të zgjasë edhe shumë.

Top Channel ka mësuar se ndërsa në Kuvend debatohej me një fjalor të ashpër akuzues për lidhjet e politikës me krimin, Ermonela Felaj e qeverisë dhe Oerd Bylykbashi i opozitës, ranë dakort përfundimisht për të miratuar një draft të përbashkët për dekriminalizimin. Palët nuk kanë rënë dakort vetëm në një pikë; testin e drogës. Por, siç paralajmëroi Lulzim Basha të martën, pas takimit me ambasadorin amerikan, kjo mesa duket nuk do të jetë pengesë për miratimin e ligjit.

“Për testin e drogës PD nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë tërheqje, por kjo nuk e pengon aspak ligjin që të shkojë në Parlament dhe të votohet me gjithë dispozitat e tjera të rëna tashmë dakord”, deklaronte Basha.

Dhe dakort kanë rënë për shumë kërkesa të tjera të Partisë Demokratike, përfshirë edhe verifikimin e shenjave të gishtërinjve, të cilin opozita e sheh si mënyrën e vetme të sigurtë për identifikimin e personave me të shkuar kriminale, që kanë e përdorur disa identitete.

Top Channel ka mësuar se palët nuk do të humbin asnjë ditë kohë pas dakortësimit politik dhe për këtë arsye është thirrur mbledhja e Komisionit të Posaçëm për Dekriminalizimin.

Kur të miratohen ndryshimet kushtetuese dhe ligji përkatës, efektet e konsesusit për dekriminalizimin do të jenë të menjëhershme. Ndërprerje e mandateve për të zgjedhurit apo zyrtarët që rezultojnë se janë dënuar brenda dhe jashtë vendit, që për ta janë lëshuar masa arresti, kërkohen ndërkombëtarisht apo janë dëbuar për krime.

Procesi i dekriminalizimit fut si koncept ndalimin e kandidimit për funksione publike të pesonave me të shkuar kriminale, duke e përshkallëzuar masën sipas peshës së krimit apo dënimit. Ndalimi është i përjetshëm për krimet e rënda. Për herë të parë gjithashtu, u hiqet e drejta për të votuar të gjithë personave të dënuar për krime të rënda. 

Qëkur Partia Socialiste ka ardhur në pushtet, marrëveshja për dekriminalizimin është e vetmja që qeveria dhe opozita kanë bërë mes tyre, duke patur si garante një herë Parlamentin Europian, një herë ambasadorin amerikan.

Top Channel