19 dëmtime muskulare për Juventusin

19/11/2015 11:30

Fillimi i këtij sezoni ka qenë impenjativ për stafin mjekësor të Juventusit. “Zonja e Vjetër” gjatë kësaj periudhe ka regjistruar plot 19 dëmtime muskulare të futbollistëve të saj, duke e detyruar trajnerin Massimiliano Allegri që të përcaktojë skemat e tij në bazë të situatave të krijuara.

Ndeshjet miqësore të ditëve të fundit i kanë shtuar telashet për trajnerin livornez. Sulmuesi kroat Mandzukic pësoi një ndrydhje të kaviljes, ndërsa probleme kanë edhe Buffon, Caceres e Lichshtainer. Lista bëhet akoma më e gjatë kur mes futbollistëve që janë në infermierinë e kampionëve të Italisë kanë qenë apo janë ende edhe Barzagli, Chiellini, Khedira, Morata apo Pogba, një gjendje kjo që nuk është aspak e rastësishme dhe këtë e shpjegon edhe ish-përgatitësi fizik i skuadrës torineze, Giampiero Ventrone.

“Është një sezon i çuditshëm. Dëmtimet mund të jenë të lidhur me shumë faktorë: një ngarkesë stërvitjeje e tepruar, një lëvizje specifike apo riaftësimi jo i plotë nga një dëmtim tjetër”, tha Ventrone për “Tuttosport”.

Ventrone ngriti pikëpyetje edhe në lidhje me metodat e reja të punës të aplikuara nga Allegri dhe stafi i tij, duke theksuar se ndryshimi i sistemit të lojës kërkon edhe kontrollin e nivelit të dëmtimeve. Sipas tij, nëse aktivizon futbollistë që më parë kanë pasur probleme, bëhet i paevitueshëm fakti që ata të pësojnë tjetër dëmtim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA