Basha: Rama, drejtori real i Doganave

18/11/2015 00:00

“Shteti normal fillon me largimin e kësaj qeverie”. Ky është lajtmotivi i të gjitha fjalimeve të fundit të kryetarit të opozitës, Lulzim Basha, i cili e konsideron kryeministrin Edi Rama si përgjegjësin kryesor për situatën e krijuar në vend.

E sipas llogarive të Lulzim Bashës, për shkak të kontrabandës dhe evazionit fiskal të klientëve të qeverisë mungojnë në buxhet 326 milionë dollarë.

“A ka shqiptar që beson se pa pa urdhrin e Edi Ramës dhe marionetave të tij në dogana ngrihet trau i tyre për kontrabandën e cigareve dhe të naftës? Vetëm nga cigaret, humbja është më shumë se 50 milionë dollarë kontrabandë këtë vit. Qeveria, por edhe Prokuroria kanë pasur mundësi të vihen në zotërim të dokumenteve të krimit, që kanë vënë në dispozicion vendet mike. Drejtori i vërtetë i Përgjithshëm i Doganave ka qenë dhe është Edi Rama. Situata në dogana, sikundër në sektorë të tjerë, shëndoshet vetëm me largimin e tij nga kreu i qeverisë”, tha Basha.

Në mbledhjen e grupit parlamentar, Lulzim Basha i bëri jehonë tipologjisë së kriminelëve, që citoi ambasadori amerikan Lu, të cilët – siç u tha, – ecin lirisht në rrugë. Kreu i opozitës i lidhi ata drejtpërdrejt me qeverinë.

“Për kriminelin Arben Frroku, që u lejua të arratisej nga kjo qeveri pak përpara se të dënohej me burgim të përjetshëm, dhe për Emiljano Shullazin, të akuzuarin për disa vepra penale, por që ka lirinë nga ministri i Brendshëm. Përgjigjja jonë është votimi me urgjencë dhe zbatimi me urgjencë i ligjit për dekriminalizimin; është përgatitja dhe votimi pa humbur kohë i një reforme të standardeve demokratike në drejtësi”, theksoi më tej Basha.

Lulzim Basha përmendi protestat që po ndodhin në vend, si refuzim të qytetarëve ndaj qeverisë dhe u kërkoi strukturave të Partisë Demokratike të jenë në lartësinë e kërkesës së shqiptarëve për të rrëzuar qeverinë.

“Edi Rama nuk mundet më t’ia hedhë askujt. Nuk mund të mbulojë më me propagandë vjedhjen e parave në dogana, tatime e tendera. Nuk mund të mbulojë më korrupsionin e ministrave të tij, as lidhjet e tyre me krimin dhe kriminalizimin e qeverisjes. Nuk mund të mbulojë krizën ekonomike dhe rritjen e papunësisë. Asnjë mashtrim apo manovër nuk e zgjat dot qeverisjen e tij të rrëzuar. Ora po afron, që shqiptarët të marrin në dorë fatet e tyre”, mbylli deklaratën Basha.

Top Channel