Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka vendosur të vizitojë refugjatët në kampin e Preshevës. Pas paralajmërimeve edhe nga Sllovenia, Kroacia, por edhe Maqedonia, Serbia ka gjasa të bëhet një shtet i rrethuar me mure dhe tela.

Por Vuçiç thotë se është me rëndësi të ruhet qetësia, pasi refugjatët kanë nevojë për ndihmë. Masat e sigurisë janë ndërmarrë dhe vëmendja do të jetë më e madhe: “Mendoj se 99.99% e këtyre njerëzve janë njerëz të mirë, të cilët janë dëbuar nga shtëpitë e tyre dhe tokat e tyre me luftë dhe terrorizëm”.

Ai ka thënë se lufta duhet bërë ndryshe dhe jo kundër refugjatëve: “Tela gjembor dhe mure nuk do të shihni në Serbi ndaj asnjë shteti. Dhe ne jemi duke bërë verifikime kundër terrorizmit edhe këtu dhe do të garantojmë sigurinë për të gjithë qytetarët e Serbisë”.

Një nga sulmuesit ose emri që lidhet me pasaportën e gjetur në Paris ka kaluar nëpër këtë kamp dhe kjo ka bërë që refugjatët në tërë Evropën të vihen para pikëpyetjes se a e sjellin ata terrorizmin.

Top Channel