Niveli i lartë i ndotjes së ajrit në Tetovë ka ndezur alarmin tek banorët e këtij qyteti. Mijëra protestues të enjten kanë kërkuar zgjidhjen e problemit me ndotësin kryesor, që llogaritet të jetë kombinati i “Jugohromit” në afërsi të qytetit.

Të zhgënjyer nga mosveprimi i qeverisë në këtë drejtim, ata kanë mbajtur për rreth një orë të bllokuara rrugët në hyrje dhe dalje të Tetovës.

“Kjo është vetëm fillimi i gjithë asaj që duhet të bëjmë. Nuk duhet të ngelim vetëm me këtë dalje në protestë por duhet edhe shumë më tepër punë në këtë drejtim”, shprehet një protestues.

“Kërkojmë ajër të pastër. Ftojmë qeverinë të marrë masa urgjente për të ndaluar ndotjen e ajrit në rajonin e Pollogut”, thotë një tjetër protestues.

Banorët e Tetovës thonë se protestat nuk do të ndalen deri në zgjidhjen e problemit. Mjeku Dali Lala, i cili kishte dalë për të protestuar tha se, qytetarët tashmë kanë filluar t’i ndjejnë pasojat nga ndotjes së lartë të ajrit.

“Pasojat kanë filluar të ndjehen në Tetovë. Rritja e aborteve, përkeqësimi i sëmundjeve respiratore, kronike dhe kardiake. Kjo situatë brenda një kohe mund të ketë pasoja edhe në rritjen e sëmundjeve kancerogjene”, thotë Dali Lala, mjek.

Protestuesit kanë ndaluar edhe para ndërtesës së komunës së Tetovës dhe kanë hedhur vezë në drejtim të saj. Protesta pritet të ketë edhe ditën e premte. Kohë më parë, Tetova u rendit si qyteti më i ndotur në botë.

Top Channel