Një prej sipërmarrësve në sektorin e peshkimit dhe përpunimit thotë se reforma e naftës, heqja e akcizës së karburanteve për këtë sektor përfshi përfitimi i kontratës së qerasë me 1 euro, i ka dhënë frymëmarrje edhe industrisë së peshkut në Shqipëri.
“Do të kthejmë të gjithë traditën e munguar dhe do të dalim me shumë dinjitet edhe me eksporte në Europë me prodhimet “Made in Albania.” Reforma e naftës, e vetmja reformë që i dha jetë gjithë sektorit tonë. Numrin total të punëtorëve do ta çojmë në 1200-1300 vetë. Kjo do të marrë përmasat e një zone shumë të madhe ekonomike”, thotë sipërmarrësi Luca.
Gjatë vizitës në këtë kompani përpunimi të peshkut kryeministri Edi Rama u shpreh se “kjo industri që do të rilindë plotësisht, duke i rikthyer Shqipërisë prezencën dhe forcën në tregjet ndërkombëtare përmes prodhimeve tërësisht të vetat“.
Në Labinot të Elbasanit kryeministri u takua edhe me investitorë spanjollë dhe italianë të angazhuar dhe të interesuar në këtë sektor.
“Ne jemi shumë të inkurajuar që hapi që ne hodhëm me naftën ka filluar të japë rezultat dhe në radhë të parë ka dhënë si rezultat motivimin e gjithë njerëzve të sektorit dhe pastaj nxitjen për të parë shumë më larg sesa deri dje, kur faktikisht ishim në kushtet e një beteje të përditshme për mbijetesë. Unë jam absolutisht i bindur që është rruga e duhur dhe është koha që edhe në Shqipëri të kemi merkatot e peshkut, ashtu siç janë në të gjithë botën. Në fund të fundit janë instrumente për t’i dhënë vlerë reale këtij malli kaq të çmueshëm, që ne e kemi me shumicë, prandaj dhe nuk e kemi vlerësuar asnjëherë sa duhet. Kështu që edhe në këtë aspekt do ta mbështesim fuqimisht çuarjen përpara të këtij programi dhe në portin e peshkimit në Durrës do të jetë merkato e parë”, tha Rama.
Kryeministri vlerësoi edhe anën sociale të këtij investimi, me ngritjen e çerdhes dhe kopshtit në ambientet e kompleksit, çka krijon, theksoi Kryeministri, një standard tjetër në trajtimin dhe mbrojtjen e dinjitetit të të gjithë punonjësve.
Top Channel