Dy muaj pas nisjes së aksionit kundër informalitetit, kryeministri Edi Rama lajmëroi një ulje masive taksash, nga i cili do të përfitojnë gati 100 mijë biznese të vogla në të gjithë vendin. Lehtësimin më të madh do ta ketë fasha e bizneseve me xhiro nga 0 deri në 5 milionë lekë në vit.
“Të gjitha bizneset nga 0 në 50 milionë lekë xhiro në vit do të çregjistrohen nga tatimi i thjeshtuar mbi fitimin. Pra, nuk do paguajnë më asnjë taksë. Deri më sot, ata që ishin deri në 20 milionë paguanin 250 mijë lekë tarifë vjetore, ndërsa ata që ishin nga 20 në 50 paguanin 7.5 për qind taksë mbi fitimin nuk do paguajnë më asgjë. Zero taksë”, deklaroi Rama.
Ulje do të përfitojë edhe fasha tjetër e bizneseve që kanë një xhiro vjetore nga 5 deri në 8 milionë lekë. “Nëse sot fasha nga 5 deri në 8 milionë ishte subjekt i TVSH-së, ajo mbetet e tillë, por për këto biznese do të ulim tatim-fitimin nga 7.5 në 5 për qind”, nënvizoi Rama.
Veç uljes së barrës, kryeministri tha se plani përmban edhe lehtësi proceduriale për këto biznese. “Bizneset nga zero deri në 50 milionë nuk do të gjobiten më për mosdeklarim për punonjësit e papaguar të familjes”, tha Rama.
Por kryemistri tërhoqi vëmendjen se edhe pas heqjes së taksave të gjitha bizneset me xhiro nga zero në 8 milionë lekë do të kenë detyrimin për të paguar sigurimet shoqërore dhe të lëshojnë kupon për çdo shitje, me qëllim që të mos lejohen shtigje abuzimi për bizneset e mëdha.
“Këto janë të domosdoshme. Kush pastaj nuk do që të paguajë asnjë taksë dhe s’do të mbajë as këto, ka rrugë tjetër. Të shkojë të paguajë avokatin”, tha Rama.
Sipas të dhënave që bëri publike shefi i qeverisë, nga heqja e taksave për bizneset me fashë nga zero deri në 5 milionë përfitojnë 83 mijë e 300 ndërmarrje. Ndërsa uljen e tatimit nga 7.5 në 5 për qind e përfitojnë mbi 15 mijë ndërmarrje të tjera, të cilat kanë një xhiro aktuale nga 5 deri në 8 milionë lekë.
Në total, numbri i bizneseve që përfitojnë nga ulja e taksave llogaritet në rreth 100 mijë dhe sipas kryeministrit, kjo ulje bëhet e mundur falë aksionit kundër informalitetit.
Top Channel