Maqedoni, vazhdojnë bisedimet ndërpartiake për mediat

16/11/2015 13:45

Të hënën kanë vazhduar bisedimet ndërpartiake për realizimin e marrëveshjes për daljen e Maqedonisë nga kriza politike dhe grupet e punës kanë hapur çështjen e mediave.

Në këto bisedime marrin pjesë edhe ndërmjetësuesi i BE-së, Piter Vanhut, si dhe shoqatat e gazetarëve.  

Partitë do duhet të arrijnë pajtueshmëri për reformat në Radio Televizionin e Maqedonisë dhe në Agjencinë për Shërbime Audio-vizive si dhe për emërimin e drejtuesve të rinj në shërbimin publik informativ.

Bisedimet duhet të përfundojnë deri më 20 nëntor dhe partitë do duhet t’i harmonizojnë qëndrimet e tyre edhe lidhur me ligjin për mediat.

Ndërkohë, është arritur pajtueshmëri që deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të ndalohen reklamat qeveritare. Në këtë mënyrë, mediat e shkruara, televizionet dhe portalet, nuk do të mund të japin reklama të financuara nga buxheti.

Top Channel