Kriza e vitit 2009 tronditi financat publike thuajse në të gjitha vendet e Europës, përfshirë ekonomitë e brishta të rajonit duke rritur deficitet dhe borxhin publik. Por, masat që qeveritë kanë zgjedhur për t’u përballur më këtë problem, duket se kanë qenë të ndryshme nga njëri vend në tjetrin.
Një raport i fundit i FMN, vëren se shumica e vendeve i janë përgjigjur krizës së borxheve duke ulur shpenzimet. Të tjera kanë rritur taksat indirekte që vendosen mbi konsumin si tatimi mbi vlerën e shtuar për të mbledhur më shumë të ardhura.
Por vec këtyre, ka dhe një grup të vogël vendesh, më saktësisht 3 të tillë, të cilët kanë rritur taksat e drejtëpërdrejta që vendosen mbi biznesin dhe individët si tatimin mbi fitimin apo atë mbi të ardhurat vetjake. Shqipëria është një prej tyre. Dy vendet e tjera janë Serbia dhe Sllovakia.
Në Republikën Sllovake tatim-fitimi u rrit nga 20 në 23 për qind. Ndërsa në Shqipëri dhe Serbi kjo taksë u rrit ngta 10 për qind që ishte në 15 për qind. Në vendet e tjera të Europës tatimi mbi fitimin është ulur ose është mbajtur i pandryshuar me nivelet e para krizës.
Sipas FMN, Shqipëria dhe Serbia janë aktualisht dy vendet me nivelin më të lartë të tatimit mbi fitimin në Ballkanin Perëndimor me 15 për qind, ndërkohë që në të gjithë vendet e tjera, si Malin e Zi, Maqedoni, Kosovë dhe Bosnje, kjo taksë është 10 për qind.
Sipas FMN, vendet e Ballkanit perëndimor janë ato me me taksat më të ulëta në europë. Në ekonomitë e avancuara të zonës euro, norma mesatatare e tatim fitimit është 25 për qind, ndërsa në ekonomitë e tjera në zhvillim ajo luhatet nga 15 në 20 për qind.
Por edhe pse krahasuar me ekonomitë e zhvilluara europiane, Shqipëria mbetet një vend me taksa të ulëta, sipërmarrësit ankohen se konkurrentët tanë të drejtëpërejtë janë vendet e Ballkanit, të cilat e kanë më të vogël tatim fitimin. Ndaj në më shumë se një rast, Shoqatat e biznesit i kanë kërkuar qeverisë të rishikojë politikën e taksave për të mos e bërë vendin jonkurrues cka mund të devijonte investimet në vende fqinje
Top Channel