Ministrat e Jashtëm të Shqipërisë, Kosovës, Bosnje e Hercegovinës, Malit të Zi dhe Serbisë nënshkruan marrëveshjen për krijimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor.
Selia e kësaj organizate rajonale do të jetë në Tiranë. Me këto para do të kryhet financimi i projekteve të vogla e të mesme në arsim, mjedis dhe kulturë.
Ministri Ditmir Bushati tha se akti i nënshkrimit ishte kurorëzim i një bashkëpunimi konstruktiv disavjeçar mes vendeve të rajonit.
Ai shprehu mirënjohjen për vendet e Vishegradit – Republikën Çeke, Poloninë, Hungarinë dhe Sllovakinë – për iniciativën dhe ndihmën në ngritjen e një fondi sipas modelit të Fondit Ndërkombëtar të Vishegradit.
Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes u pasua nga një takim i ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, ku ata diskutuan mbi hapat që duhen ndjekur deri në formalizimin e Fondit dhe fillimin e aktivitetit të tij.
Kjo është hera e parë që në Shqipëri vendoset selia e një organizate rajonale, dëshmi e një kontributi në rritje të vendit tonë në drejtim të politikave të bashkëpunimit rajonal dhe fqinjësisë së mirë.
Top Channel