Durrës, hidrokarburet dëmtojnë impiantin e ujërave të zeza

14/11/2015 21:05

Pas ndotjes së plazhit, hidrokaraburet e derdhura në Adriatik po dëmtojnë impiantin e trajtimit të ujërave të zeza në Shën Avlash të Durrësit.

Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve të Durrësit, përmes një deklarate për shtyp ka bërë të ditur se mbetje të shumta nafte dhe vaji kanë depërtuar nëpërmjet rrjetit të vjetër të kanalizimeve dhe prej andej kanë shkuar në impiantin e trajtimit të ujërave të ndotura.

“Pas konstatimit të këtij problemi, po punohet për të reduktuar dëmet në impiant, ku rrezikohet procesi biologjik i trajtimit të ujërave të ndotura”, thuhet në deklaratë.

Specialistë të Ujësjellësit si dhe të impiantit të trajtimit të ujërave po verifikojnë kanalizimet dhe stacionet e pompimit përgjatë gjithë linjës nga plazhi deri tek impianti.

Dyshohet se ndotja ka depërtuar nga rrjeti i vjetër i ujërave të zeza në zonën e plazhit, rrjet ky që ka dhe tubacion dytësor e tretësor prej betoni me fuga të paizoluara mirë, të cilat, sipas specialistëve, duke punuar si drenazhe krijojnë hinka nëntokësore që thithin ujërat nëntokësorë dhe në rastin konkret edhe naftën e vajrat që janë më të lehta se uji i detit.

“Aktualisht po punohet për pastrimin e pusetave kryesore në hyrje të impiantit, ndërkohë që një pjesë e ujërave të ndotura që vijnë nga plazhi po devijohen në stacionin numër 9, në mënyrë që në impiant të mbërrijë një sasi më e vogël ujërash, deri në përmirësimin e situatës”, vijon njoftimi për shtyp.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA