Edhe Avokati i Popullit thotë se projektlkigji i qeverisë nuk e zgjidh konfliktin shumëvjeçar të pronës në Shqipëri.
Ndihmës komisioneri pranë këtij institucioni, Albert Gjoleka deklaron se drafti i hartuar nuk është bërë në konsultim me grupet e interesit.
“Këto grupe interesi kanë kërkuar përfshirjen në grupet e hartimit të këtij pr/ligji, por nuk kanë gjetur miratimin e këtij organi”, nënvizon Gjoleka.
Sipas tij, një tjetër pikë problematike është se drafti nuk përfshin termin “kthim fizik” të pronës.
“Ajo që është konstatuar në qëndrimet e mbajtura prej tyre ka të bëjë me mosparashikimin e kthimit fizik të pronave të paluajtshme dhe vlerësimit të pasurive me çmimet që kanë të bëjnë me shtetëzimin e tyre, që daton në vitin 1976”, thotë Gjoleka.
Ai shton se çështja e çmimit mund të shtojë edhe paditë në gjykata.
“Jo më larg se këtë javë ne jemi në dijeni që Gjykata e Strazburgut ka dhënë një vendim në favor të 12 individëve që kanë paditur shtetin shqiptar dhe fatura që duhet të paguajë buxheti i shtetit është 5.3 mln euro. Ndërkohë që ka edhe qytetarë të tjerë që kanë bërë padi të ngjashme”, shton Gjoleka.
Top Channel