Lu: Reformës i tremben të korruptuarit

13/11/2015 15:35

Ambasadori amerikan, Donald Lu foli pa dorashkat e diplomacisë për kategorinë e zyrtarëve që nuk u intereson reforma në drejtësi.

“Kush i trembet më shumë reformës në drejtësi? Unë e di kush. Ministrat e korruptuar, deputetët kriminelë, gjykatësit e paaftë dhe prokurorët që marrin paratë tuaja, por kurrë nuk e ndjekin penalisht dikë. Këta persona duan të vazhdojnë të mbushin xhepat e tyre me paratë e popullit shqiptarë”, tha ambasadori Lu.

Ambasadori amerikan, duke shprehur mbështetjen e SHBA për propozimet aktuale, që parashikojnë ndryshime rrënjësore në funksionimin e drejtësisë në vend, nënvizoi se reforma duhet të kryhet nën dritën e dialog i hapur.

“Mund t’ju siguroj që Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht propozimet aktuale. Të gjitha partitë politike duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe t’i japin fund sulmeve politike. Jam inkurajuar që javën e shkuar 7 ekspertë të zgjedhur nga opozita, u caktuan të punojnë në hartimin e ligjeve të reja”, tha Lu.

Lidhur me shqetësimet e ngritura nga pjesëtarë të gjyqësorit se reforma mund të cënojë pavarësinë e këtij pushteti, Donald Lu kishte një përgjigjie krejt origjinale.

“Asnjë shqiptar nuk beson sot se sistemi i drejtësisë është i pavarur. Nuk është i pavarur nga ryshfeti, nuk është i pavarur nga telefonatat, ku persona me pushtet i telefonojnë drejtpërdrejtë personat e drejtësisë me udhëzime, nuk është i pavarur prej presionit të krimit të organizuar. Kjo reformë do t’i japë mundësinë e vërtetë për të bërë sistemin e drejtësisë për herë të parë të pavarur”, mbylli fjalën e tij, Donald Lu.

Edhe ambasadorja e BE, Romana Vllahutin e shikon si kohën e duhur për të bërë një reformë radikale në drejtësi.

“Sistemi i drejtësisë në Shqipëri duhet të kalojë në një proces shumë transparent për të parë se kush janë gjyqtarët dhe prokurorët që e meritojnë të qëndrojnë në një sistem që u mbron integritetin dhe profesionalizmin e tyre. Por duhet vendosur dhe kush do të largohet. Në këtë reformë duhet të fitoje më i miri”, deklaroi ambasadorja Vllahutin.

Për opozitën qëllimi është ai i duhuri, por mjetet e zgjedhura për të arritur këtë qëllimi, jo.

“Kemi konstatuar që qëllimet në drejtësi janë të mbara, mjetet e prezantuara në amendamentet kushtetuese, janë disproporcionale. Teknikat legjislative lë vend e për të dëshiruar, konfuze, e pasaktë dhe inkoherente. Gjithsesi kjo rregullohet edhe me kontributin tonë jo vetëm modest mund të rregullohet brenda një kohe të shkurtër. Shumica e rregullave të funksionimit, të organizimit, të garancisë të këtyre institucioneve të reja kanë zbritur nga niveli kushtetues në nivel ligjor. Kush do e kupton që brishtësia e ligjeve nuk është një mjet i mirë që të garantojë jetëgjatësnë e këtyre institucioneve. Këshilli i Lartë Gjyqësor duhet të jetë pika më e lartë administruese e të gjithë sistemit gjyqësor”, tha Alibeaj.

Ekspertët, nga ana tjetër, mbrojnë përbërjen e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit, një organ që parashikohet të krijohet me këtë reformë. Gent Ibrahimi tha se në ngritjen e këtij Këshilli është shqyrtuar puna ndër vite e KLD-së.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA