Alibeaj: Tahiri po rikthen në polici të inkriminuarit

13/11/2015 11:15

Nga selia e PD, Enkelejd Alibeaj ka akuzuar sërish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri se po vazhdon inkriminimin e radhëve të Policisë së Shtetit.

Në një komunikim me mediat, Alibeaj i është referuar rastit të rikthimit në detyrë të Alban Ahmetaj, i larguar pak kohë më parë nga posti i shefit të forcave operacionale pasi rezultoi i përfshirë në trafikun e drogës.

“Pas denoncimit që bëri Partia Demokratike, megjithë mbrojtjen që pati nga Didi e Tahiri, largimi i Ahmetajt ishte i pashmangshëm. Ai u akuzua nga oficeri i tij, Demushi, që u kap me një sasi droge e madje iu shtua edhe afera e korrupsionit, pasi kishte marrë 4 mijë euro nga ky oficer për ta bërë pjesë të forcave operacionale. E megjithë këtë të kaluar kriminale, dhe jo të largët, por të pak muajve më parë, Tahiri e rikthen sërish Ahmetajn në detyrë, dhe pikërisht në Interpol”, ka thënë Alibeaj.

Sipas tij, Ahmetaj është pjesë e segmentit të ngushtë të Tahirit dhe njerëzve të tij të besuar “në punët e pisëta të policisë” dhe gjithashtu donator i Partisë Socialiste.

“Rikthimi i tij në zyrën e Interpolit provon se inkriminimi është i pandalshëm në Policinë e Shtetit dhe se me Saimir Tahirin postet kyçe janë të kapura nga bandat dhe trafikantët e drogës. Largimi i Tahirit dhe pastrimi i Policisë së Shtetit nga të inkriminuarit e tij është një emergjencë kombëtare. Koha nuk pret më”, ka thënë Alibeaj.

Top Channel