Parlament, opozita akuzon për “shpifjen”; Blushi: Populli po na braktis me arrati

12/11/2015 17:45

Dy nga deputetët e dy kampeve të ndryshme politike, Astrit Patozi dhe Ben Blushi kanë dalë sërish përtej linjave politike respektive.

Ata kanë kundërshtuar nismën e qeverisë për kriminalizimin e shpifjes. Ndërsa theksin e vunë te reforma në drejtësi.

“Edhe pse mund të mos e përfaqësoj qëndrimin e forcës sime politike, nuk mund të rri dot pa thënë se nuk kam asnjë fije shpresë te reforma për drejtësinë. Së pari, sepse qëllimi i qeverisë është qartësisht kapja e sistemit dhe jo reformimi i tij. Dhe këtu bëhet fjalë për një të ardhme 20-vjeçare, sepse e dorëzuar te qeveria drejtësia është që tani. Por edhe sikur të trajtohej në mirëbesim mes palëve dhe të votohej me konsensus të plotë, nuk mendoj se ajo do të ishte zgjidhja. Ne, sot, po i përshtasim Kushtetutën një reforme, sado e rëndësishme qoftë ajo, ndërkohë që duhej të ishte reforma që duhej t’i përshtatej Kushtetutës”, u shpreh deputeti demokrat Astrit Patozi.

Por Ben Blushi mendon ndryshe. Megjithëse e cilësoi Parlamentin, më të inkriminuarin që ka pasur ndonjëherë vendi, ai u deklarua pro nevojës urgjente për hartimin e reformës në drejtësi. Ndryshe nga politikëbërësit që e shohin atë si mënyrën e pastrimit të gjyqësorit, Ben Blushi mendon se reforma në drejtësi do t’i shërbejë së pari pastrimit të politikës.

“Sot shkon në burg si shofer, sepse shkel semaforin. Shkon në burg si student, sepse proteston. Shkon në burg si një klient, sepse nuk ke kupon tatimor. Shkon në burg si fukara, sepse të prishet çatia e shtëpisë dhe e ndërton të nesërmen pa leje. Shkon në burg si sipërmarrës, sepse nuk i ke paguar të gjitha taksat. Shkon në burg edhe si gazetar, sepse ose thua të vërtetën, ose e deformon të vërtetën sipas dëshirës së propozuesve. Sigurisht do të vazhdojmë të jemi ai vendi që u përmend sot këtu. Një milion njerëz kemi çuar ne në emigracion, kjo klasë politike dhe 100 mijë vetëm këtë vit. Një qytet sa Elbasani zhduket çdo vit dhe ikën në emigracion. Pse ikën? Nuk ikën se është i varfër, por ikën sepse nuk ka drejtësi. Ikën sepse besojnë se, ata që bëjnë më shumë dëm nuk ndëshkohen asnjëherë. Ikin sepse besojnë se ata që i bëjnë më shumë dëm këtij vendi, që jemi ne, nuk ndëshkohen dhe s’kanë për t’u ndëshkuar. Ndëshkimi i tyre për pandëshkueshmërinë tonë është braktisja jonë, sepse s’kanë rrugë tjetër”, deklaroi Ben Blushi.

Zërat zyrtarë të mazhorancës e theksuan rëndësinë e reformës në drejtësi, edhe si kusht për hapjen e negociatave, ndërsa opozita akuzoi qeverinë se procesi integrimit ka ngecur për shkak të skandaleve të qeverisë.

Këto dy qëndrime dominuan në sallën e Parlamentit, në të parën seancë pas publikimit të progresraportit, ku palët nuk kanë zhgënjyer, duke i lexuar sërish ndryshe rekomandimet e Komisionit Europian për ecurinë e Shqipërisë në një vit.

Top Channel