Konfrontime me policinë gjatë protestave në Athinë

12/11/2015 14:35

Në konfrontime me forcat policore kanë degjeneruar mitingjet e mëdha të protestës në qendër të Athinës, në kuadrin e grevës së përgjithshme 24-orëshe që shpallën sindikatat e sektorit shtetëror dhe atij privat, greva e parë kundër qeverisë së majtë të kryeministrit Alexis Tsipras që kur ai ka ardhur në pushtet në janar të këtij viti.

Konfrontimet kanë filluar pasi një grup anarkistësh kanë hedhur bomba molotov ndaj barrierave të policisë në Omonia, në sheshin “Sintagma”, para Parlamentit dhe në Propilea.

Gjithashtu, anarkistët kanë thyer xhamat e disa bankave dhe qendrave tregtare në këto sheshe, kanë djegur disa makina dhe janë përleshur më pas me forcat policore.

Prej mëngjesit, mijëra qytetarë kanë marrë pjesë në tubimet e ndryshme duke protestuar kundër politikave shtrënguese dhe rritjes së taksave që është detyruar të zbatojë qeveria nën presionin e kreditorëve.

Në këto 24 orë janë të mbyllura të gjitha shërbimet shtetërore, ministritë, zyrat e tatim-taksave, bashkitë dhe prefekturat, muzeumet, shkollat, farmacitë dhe bankat. Spitalet funksionojnë me stafin e emergjencës, transporti publik ka ndërprerje shumëorëshe, anijet janë të ankoruara në porte, ndërsa edhe shumë fluturime të brendshme janë anuluar. Gazetarët gjithashtu kanë lënë punën dhe heshtja mediatike mbizotëron në shtypin e vendit.

Karakteristike e kësaj greve është edhe fakti që ajo mbështetet edhe nga një pjesë e strukturave partiake të Syrizës, që kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive të punëtorëve “kundër politikave neoliberale dhe shantazheve nga qendrat financiare dhe politike brenda dhe jashtë Greqisë.”

Siç komentojnë analistët vendas, kryeministri Aleksis Tsipras, i cili fitoi edhe zgjedhjet e parakohshme dy muaj më parë, është tërhequr nga pozicionet e tij të mëparshme kundër masave shtrënguese, duke pranuar një marrëveshje të imponuar për masa të mëtejshme në këmbim të një pakete 3-vjeçare ndihme prej 86 miliardë eurosh.

Të hënën, Greqia nuk arriti të bindë kreditorët e saj europianë që ka bërë mjaft për të siguruar këstin e parë prej 2 miliardë eurosh për nevojat e brendshme dhe 10 miliardë të tjera për rikapitalizimin e bankave dhe ministrat e eurozonës i kanë dhënë Athinës edhe pesë ditë të tjera afat që të vendosë për implementimin e reformave të nevojshme në këtë fazë.

Top Channel