PD: Shteti fle përballë ndotjes në Durrës

11/11/2015 13:10

Partia Demokratike vlerëson se ndotja e bregdetit të Durrësit nga shkarkimi i disa mbetjeve të rrezikshme, e verifikuar pak ditë më parë, është një krim mjedisor me pasoja të rënda dhe afatgjata në mjedis, shëndet, peshkim dhe turizëm.

Kjo mjafton, sipas drejtuesit të Departamentit të Mjedisit në PD, Jamarbër Malltezi, që qeveria të shpallë gjendjen e emergjencës dhe të mos bëjë strucin.

“Në çdo vend normal do ishte shpallur gjendja e emergjencës, fajtoret do ishin kapur dhe do ishin përballur me drejtesinë, miliona dollarë do viheshin në dispozicion të rehabilitimit mjedisor të zonës, ndërsa në Shqiperi qeveria që ‘kos po ha dhe miliona euro po perlan’, as nuk di të thotë kush e shkaktoi, as të thotë çfarë ndotje është, sa është sasia, sa është rrezja e ndikimit, sa e rrezikshme është ndotja? Asgjë!”, tha Malltezi.

Ministri i Mjedisit deklaroi “Shteti ishte ne gjume” dhe per pasoje Durresi e pesoi, thotë Malltezi. “Shteti është në gjumë për mjedisin, sigurinë, shëndetin dhe turizmin, por është shumë aktiv kur është puna për tenderat dhe vjedhjet në shëndetësi, mbrojtje, energjitike e të tjera”, thuhet më tej në deklaratë.

Në fund të deklaratës, Malltezi i bën qeverisë disa pyetje, duke i kërkuar burimin dhe shkakun e ndotjes, llojin e ndotësit e deri tek kush kontrollon hapësirat tokësore, ajrore e detare të vendit.

Top Channel