Policia e Kosovës ka njoftuar se kontrollet e dyfishta kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë do të rinisin më datë 10 nëntor.
“Si rekomandim nga Komisioni Evropian, në procesin e dialogut të liberalizimit të vizave mes Kosovës dhe KE, që nga data 10 nëntor 2015, në pikën kufitare të Vërmicës do të aplikohet kontrolli në dalje”, thuhet në një njoftim të shkurtër për shtyp.
Sipas burimit, ky kontroll do të mundësojë aplikimin e standardit të kontrollit sistematik dhe nuk do të jetë pengesë në qarkullim për njerëzit dhe mallrat.
Ministri i Integrimit, Bekim Çollaku kishte paralajmëruar javën e kaluar gjatë raportimit në komisionin e posaçëm parlamentar, se Komisioni Evropian kishte kërkuar rikthimin e dy ndalesave kufitare, me qëllim parandalimin e krimit ndërkufitar. Sipas ministrit Çollaku, kërkesa në fjalë lidhet me procesin e liberalizimit të vizave.
Pas aplikimit sezonal në stinën e verës, kontrolli në të dy pikat kufitare ishte hequr përfundimisht në korrik të 2011-s, në bazë të marrëveshjes dypalëshe “Një ndalesë, një kontroll”.
Top Channel