Greqia është vendi i të papunëve, pensionistëve dhe i qytetarëve joaktivë ekonomikisht. Ky është konkluzioni i një studimi të një universiteti në Athinë që publikon e përditshmja greke “Tanea”. Sipas tij, numri i atyre që nuk punojnë në Greqi shkon më shumë se 7 milionë.

Statistikat e studimit vënë në dukje se në një vend si Greqia me 4.470.000 njerëz aktivë për punë, vetëm 3.590.000 janë të punësuar, 1.240.000 janë të papunë, ndërsa 2.650.000 janë pensionistë.

Ky është një rrezik i madh për sistemin e sigurimeve shoqërore theksojnë specialistët që shpjegojnë se me këtë raport Greqia nuk mund të shpresojë as në korrigjimin e pabarazive serioze në qëndrueshmërinë dhe efikasitetin social të sistemit të sigurimeve shoqërore dhe as në formimin e një sistemi të ri social dhe ekonomik.

Përveç shifrave tepër shqetësuese për të ardhmen e sistemit të sigurimeve sociale dhe pensioneve, mbresëlënëse janë edhe statistikat e tjera ekonomike të këtij studimi.

6 ndër 10 pensionistë në Greqi marrin pension më pak se 700 euro në muaj.

Paga mesatare e rreth 3.6 milionë qytetarëve që punojnë është më pak se 815 euro, ndërsa më shumë se 500.000 vetë që punojnë me orar të reduktuar paguhen vetëm me 346 euro në muaj.

9 ndër 10 të papunë nuk marrin asnjë lloj asistence sociale.
Popullsia joaktivë ekonomike d.m.th. ata që as nuk punojnë dhe as nuk kërkojnë punë, ka shkuar në gati 3.3 milionë grekëe.

Më shumë se 1 milion vetë në sektorin privat paguhen me vonesë nga 1 deri në 5 muaj.

Në mbi 350.000 familje nuk punon askush dhe sipas parashikimeve të Komisionit Europian papunësia në vitin e shtatë të krizës greke do të mbetet përsëri në nivele rekord 25,7% për këtë vit dhe po kaq edhe në vitin e ardhshëm.

Ndërsa, sipas parashikimeve më optimiste në raportin vjetor të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, ekonomia greke pritet të fillojë të rimëkëmbët në gjysmën e dytë të vitit 2016, pasi të rritet besimi në tregje dhe eksportet të ruajnë dinamikën e tyre.

Top Channel