Rektorë dhe themelues të universiteteve jopublike në vend kanë themeluar Forumin e Pavarur të Rektorëve. Gjatë takimit të rektorëve të zhvilluar në Durrës, u vu theksi te zbatimi i ligjit të ri për Arsimin e Lartë dhe trajtimi i barabartë i universiteteve nga ana e qeverisë.
Përpos angazhimit për zbatimin me rigorozitet të kërkesave ligjore mbi arsimin e lartë, Forumi vendosi që universitetet të bashkëpunojnë mes tyre për të statistikuar arritjet dhe mundësuar më shumë akses të studentëve dhe stafeve akademike në botimet dhe ngjarjet akademike të secilit universitet.
Rektorët dënuan edhe bërjen politikë në ambientet akademike, duke iu referuar reagimeve të fundit, që sipas rektorit të UET-së, Tonin Gjuraj, kanë lidhje me problemet e universiteteve shtetërore, dështime që sipas tij nuk mund t’ia kalojnë sektorit privat që ka vetëm 7% të numrit të përgjithshëm të studentëve.
Për profesor Marenglen Spiron, ligji i ri dhe bashkëpunimi mes universiteteve do të shtojë jo vetëm konkurrencën, por edhe përfitimet e gjithësecilit. Sipas tij, vendi ka nevojë për një ligj të ri për kërkimin shkencor.
Forumi vendosi dhe për konferencën e ardhshme të rektorëve.
Top Channel