Pas protestave masive në Beograd, Vuçiç njofton dorëheqjen brenda muajsh, SNS pritet të zbulojë platformën zgjedhore
Gjashtë persona të tjerë kanë ndërruar jetë për shkak të plagëve të marra në zjarrin që përfshiu klubin e natës në Rumani, duke e çuar në 38 numrin e viktimave.
Katër persona mësohet se u ndanë nga jeta në spitalin e Bukureshtit, ndërsa dy të tjerë në Holandë, ku po mjekoheshin. Ndërkohë, mbi 100 persona të tjerë vazhdojnë të marrin mjekime, 48 prej të cilëve në gjendje kritike.
Zjarri në klubin e natës, më 30 tetor, u shkaktua nga fishekzjarret. Ngjarja çoi në protesta të shumta dhe në dorëheqjen e kryeministrit Victor Ponta.
Ndërkohë, pasojat po i vuan edhe Cristian Popescu, ish-kryetar i njësisë numër 4 të kryeqytetit rumun ku ndodhej klubi, pasi kishte dhënë liçencë edhe pse menaxherët nuk kishin marrë dirtën jeshile nga zjarrfikësit.
Në pranga kanë përfunduar edhe tre pronarë të klubit, nën akuzën e neglizhencës për shkak të mbipopullimit të ambjentit, në një kohë kur mungonin daljet e emergjencës.
Zërat se siguria në ambjentet e klubit ishte kompromentuar për shkak të korrupsionit, një problem që gërryen prej kohësh Rumaninë, kanë irrituar më shumë qytetarët ndaj elitës politike.
Mijëra protestues mbajtën një tubim mbrëmjen e së premtes në Bukuresht, për të katërtën ditë rresht. Presidenti Klaus Iohannis bëri thirrje për një “erë ndryshimesh” në klasën politike rumune, pas dorëheqjes së kryeministrit Ponta.
Top Channel