Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Gjirokastrës i është ankuar ministrit të Ekonomisë Arben Ahmetaj, për mënyrën e sjelljes së tatimorëve në kontrollet ndaj biznesve.
Në takimin e mbajtur në Gjirokastër për zhvillimin e bizneseve të vogla dhe të mesme, Maksim Hoxha tha se organet tatimore duhet të kenë një tjetër sjellje ndaj biznesit, çka nuk u mohua nga ministri Ahmetaj, që gjithashtu dha përgjigje edhe për masat e ashpra kundër informalitetit.
Hoxha: “Është mënyra sesi vijnë për kontroll. Le të vijnë sa herë të duan dhe kur të duan, por me një plan të detajuar dhe me mirësjellje”.
Ahmetaj: “Administata në terren, për shkak të mbizellit, por në disa raste edhe të mosdijes, e rëndon sipërmarrjen. Dhe në të gjitha kontaktet dhe komunikimet që bëj me administratën, një nga porositë që jap është të jenë më të kujdeshshëm”.
Hoxha: “Do të donim që masat të mos jenë kaq ekstreme. Për një kupon tatimor njeriu nuk mund të shkojë në burg”.
Ahmetaj: “Kur nuk jepni apo merrni kuponin keni financuar varfërinë, më besoni. Prandaj dhe ne bëjmë atë luftën për kuponin tatimor”.
Përfaqësuesit e biznesit thanë se lufta kundër informalitetit nuk mund të shihet si aksion, ai është një detyrim ligjor që duhet të ketë vazhdueshmëri.
Top Channel