Shkupi “harron” autostradën që e lidh me Prishtinën

06/11/2015 00:00

Maqedonia po anashkalon ndërtimin e segmentit të autostradës Shkup-Prishtinë, prej rreth 13 kilometrash në territorin e saj.

Deputetët e PDSH-së kanë shpërthyer në akuza të rënda në drejtim të pushtetit, pasi mazhoranca refuzoi amendamentet, me të cilat partia opozitare shqiptare kërkonte që Qeveria t’i destinonte për autostradën Shkup-Bllacë, paratë që do t’i merrte hua nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Deputeti Orhan Ibrahimi tha se, për shkak të paaftësisë së partisë shqiptare në pushtet, BDI, qeveria ka lënë në baltë vendbanimet shqiptare në Maqedoni dhe po investon miliona euro për infrastrukturë moderne në rajonet maqedonase.

“Nuk kemi asnjë autostradë në pikat kufitare që lidhen me shtetet shqiptare. Kërkesa jonë ishte e thjeshtë, që shumat e marra hua të destinoheshin për ndërtimin e rrugës Shkup-Bllacë, në kufi me Kosovën, ndërsa BDI-ja bashkë me VMRO-në kanë parashikuar që me këto 64 milionë euro të rregullojnë rrugën Shtip-Radovish”, tha Orhan Ibrahimi, deputet i PDSH-së.

Gjatë debatit parlamentar rreth huasë në vlerën e 64 milionë eurove, që Qeveria po merr nga BERZH për ndërtimin e segmentit rrugor Shtip-Radovish, deputetët e BDI-së nuk iu përgjigjën akuzave të PDSH-së dhe nuk thanë asnjë fjalë për aksin Shkup-Bllacë.

Ministri i transportit, Vlado Misajlovski, pasi foli mbi rëndësinë e rrugës Shtip-Radovish injoroi debatin për ndërtimin e autostradës, që lidh Maqedoninë me Kosovën.

“Qeveria e Maqedonisë, në bashkëpunim me ndërmarrjen publike për rrugët vazhdojnë aktivitetet për rehabilitimin e rrugëve shtetërore. Në këtë drejtim është siguruar edhe kjo hua nga BERZH, në vlerën prej 64 milionë eurosh, përmes së cilës do të përmirësohet kualiteti i infrastrukturës rrugore në pjesën juglindore të vendit”, tha Vlado Misajlovski, ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Dy partitë e koalicionit qeveritar në Maqedoni, VMRO-DPMNE dhe BDI, në fushatën elektorale të vitit të kaluar kishin premtuar ndërtimin e autostradës nga Shkupi deri në pikën kufitare me Kosovën, në Bllacë.

Megjithatë, projekti për këtë rrugë ndodhet ende në fazën e studimit të fizibilitetit. Nga ana tjetër, autoritetet kosovare përuruan muajin e kaluar segmentin e parë të autostradës ‘Arbën Xhaferi’, që lidh kryeqytetin e Kosovës me atë të Maqedonisë.

Top Channel