Maqedoni, reagimet e liderëve për marrëveshjen e 2 Qershorit

06/11/2015 16:30

Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski është shprehur i kënaqur nga kompromisi i arritur për pikat kontestuese të marrëveshjes së 2 Qershorit.

Siç u shpreh ai, për të e rëndësishme ka qenë që të mos shtyhet data e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Nga ana tjetër, për liderin e opozitës maqedonase Zoran Zaev, zbatimi i marrëveshjes është i rëndësishëm për të rikthyer demokracinë në Maqedoni dhe shpresat për një jetë normale në këtë vend.

“Qëllimi strategjik i partisë tonë ishte që të mos lejojmë që të shtyhet data  e zgjedhjeve edhe përkundër insistimit të opozitës. Ne kemi insistuar që zgjedhjet të mbahen më 24 prill të vitit të ardhshëm dhe ashtu ndodhi”, u shpreh Gruevski.

“Gjithë këtë punë e bëjmë për t’i dhënë garanci qytetarëve se do të mund të shprehin lirshëm vullnetin e tyre në zgjedhje, pasi përveç pushtetit në organizimin e procesin zgjedhor do të marrë pjesë edhe opozita”, tha Zoran Zaev, lideri i LSDM.
Pas takimit, lideri i BDI-së Ali Ahmeti, e quajti shumë të rëndësishëm kompromisin për zbatimin e marrëveshjes. Por, përfaqësuesit e PDSH-së opozitare nuk besojnë se Qeveria do të realizojë obligimet që dalin nga marrëveshja, e cila duhet ta nxjerr vendin nga kriza e thellë politike.

“U bë mirë për Maqedoninë dhe për gjithë qytetarët e saj. Sigurisht që asnjë palë nuk është e humbur apo e fituar. Jam i bindur që kemi bërë punë te madhe dhe te mirë”, deklaroi Ahmeti.

“PDSH vazhdon të jetë opozitë, tashmë e vetme në këtë shtet. Ne nuk kemi besim që kjo marrëveshje të realizohet, por ngelet përgjegjësia e atyre që janë pjesë e qeverisë së re”, tha Ymer Aliu, deputet i PDSH-së.

Në qeverinë kalimtare që duhet të organizoje zgjedhje e parakohshme parlamentare më 24 prill të vitit të ardhshëm, partia maqedonase në opozitë LSDM, do të drejtojë ministrinë e Brendshme dhe atë për punë dhe politike sociale, ndërsa do të kete edhe tre zëvendës ministra. Ligji për qeverinë e re, ai për mos publikimin e materialeve të përgjuara dhe Kodi Zgjedhor, pritet që të miratohen javën e ardhshme nga Kuvendi.

Top Channel