Maqedoni, arrihet kompromisi për marrëveshjen e 2 Qershorit

06/11/2015 12:05

Partitë kryesore në Shkup kanë arritur kompromis për pikat kontestuese të marrëveshjes së 2 Qershorit. Në negociatat që zgjatën rreth 14 orë dhe përfunduan pas mesnatës, udhëheqësit politikë kanë tejkaluar dallimet rreth projektligjit për formimin e qeverisë kalimtare dhe atij për ndalimin e publikimit të materialeve të përgjuara.

Në bazë të marrëveshjes së arritur, në qeverinë e re, partisë maqedonase në opozitë LSDM do t’i takojnë Ministria e Brendshme, që do të drejtohet nga Oliver Spasovski dhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale që do të drejtohet nga Frosina Remenski. Gjithashtu, opozita do të ketë edhe tre zëvendësministra.

Qeveria e re kalimtare është parashikuar të zyrtarizohet deri më 15 janar të vitit të ardhshëm, ndërsa deri në fund të këtij viti duhet të dorëhiqet kryeministri aktual, Nikolla Gruevski. Në vend të tij do të emërohet një kuadër tjetër nga partia më e madhe maqedonase, VMRO-DPMNE.

Lidhur me projektligjin për ndalimin e publikimit të materialeve të përgjuara, liderët kanë rënë dakord që të parashikohen dënime për mediat vetëm në rast të publikimit të bisedave të përgjuara telefonike që prekin privatësinë, por jo edhe për bisedat ku janë përfshirë politikanët e që vlerësohet se prekin interesin publik.

Mbetet që liderët të gjejnë kompromis edhe rreth ligjit që ka të bëjë me mediat.

Top Channel