Një refugjat i vogël është bërë personazhi i ditës në mediat greke dhe ato të huaja gjatë vizitës së kryeministrit grek Aleksis Tsipras dhe kreut të PE-së, Martin Schulz në ishullin e Lesbos, që ka mbajtur dhe mban barrën kryesore si pika më e madhe e hyrjes së refugjatëve sirianë nga brigjet turke në muajt e fundit.

Schulz dhe Tsipras panë me sytë e tyre se me çfarë varkash krejtësisht të pasigurta mbërrijnë çdo orë mijëra refugjatë në ishull, ndërkohë që në momentin  e vizitës në një prej qendrave të pritjes, një fëmijë nga Afganistani i është afruar kreut të PE dhe i ka kërkuar atij në anglisht para.

Përgjigjia veçse nuk ka ardhur nga Shultz, por nga kryeministri grek i cili duke qeshur i është kthyer refugjatit të vogël duke i thënë; “Mos i kërko para. Unë kam kaq kohë që i kërkoj”, duke dashur me këtë mënyrë të çojë një mesazh në BE për nevojat që ka Greqia si vendi pritës i një fluksi kaq të madh refugjatësh.

“Sigurisht, ka drama të shumta që ndodhin këtu. Njerëzit janë me të vërtetë në një situatë dramatike dhe ne nuk do të kemi sukses pa një sistem të drejtë të shpërndarjes që korrespondon me fluksin. Është e qartë se ka një shumicë të madhe të afganëve këtu”, deklaroi Schultz.

“Më e rëndësishme është që të përpiqemi të bëjmë një marrëveshje të ndershme me Turqinë. Kjo është arsyeja që unë kam një udhëtim zyrtar në dhjetëditëshin e dytë të nëntorit dhe do të jem atje, jo vetëm në emër të qeverisë greke, por edhe në emër të BE-së”, deklaroi nga ana e tij Tsipras.

Pak orë para vizitës së dy udhëheqësve, dy fëmijë kanë humbur jetën, ndërsa një varkë me 14 vetë është mbytur në brigjet e ishullit Kos. Duke dashur të shigjetojë indiferencën e BE-së ndaj tragjedisë që po ndodh në Detin Egje, e përditshmja franceze “Liberation” ka tronditur lexuesit e saj pasi ka qarkulluar me faqen e pare me titull “Çdo ditë dy Ailanë të vegjël”,dhe fotografinë e njërit  prej dy vëllezërve sirianë që u mbytën në ditët e para të shtatorit të kaluar, ndërsa deri më sot, sipas organeve greke, numërohen në Egje mbi 108 fëmijë të mbytur brenda dy muajve të fundit.

Ndërkohë, Komisioni Europian ka deklaruar mesditën e së enjtes se rreth tre milionë azilkërkues pritet të mbërrijnë në BE deri në vitin 2017 dhe ky fluks jo vetëm që do të nxisë prodhimin ekonomik të unionit, por  madje do të përmirësojë financat publike në afat të gjatë nëqoftëse ata integrohen shpejt dhe kthehen në fuqi punëtore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA