Bruksel, konferenca “Fol hapur”: Përkeqësohet liria e medias, sidomos në Turqi

05/11/2015 11:00

Komisioni Europian mblodhi në Bruksel rreth 350 përfaqësues të mediave, institucioneve ndërkombëtare dhe autoriteteve të qeverive të Ballkanit dhe Turqisë në konferencën e tretë “Fol hapur”, konkluzionet e së cilës i përcillen qeverive të vendeve aspiruese për anëtarësim në BE.

“Fatkeqësisht, ndërsa kuadri ligjor për lirinë e shprehjes dhe median ekziston gjerësisht në vendet e zgjerimit, zbatimi dhe realiteti mbeten një çështje shqetësimi serioz. Në disa vende ka vijuar përkeqësimi. Ndonjëherë vetë qeveritë kontribuojnë për një klimë frike që demonizon gazetarët kritikë të politikave të qeverisë, duke i cilësuar ata si tradhtarë e duke i çuar drejt auto-çensurës. Këtu, qeveritë kanë një përgjegjësi të qartë: ato duhet të garantojnë një mjedis të sigurtë, ku mendimi i ndryshëm mund të shprehet dhe ku të gjithë qytetarët të kenë qasje ndaj informacionit faktues dhe objektiv”, deklaroi komisioneri për Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn.

E iniciuar nga ish-komisioneri i Zgjerimit, Stefan Fule në vitin 2011, kjo konferencë organizohet çdo dy vjet. Ashtu si dhe radhën e kaluar, të ftuarit e panelit kryesor, megjithëse të ndryshëm nga viti 2013, u shprehën njësoj për përkeqësim të situatës së mediave në vendet e zgjerimit, e sidomos në Turqi, prej nga vinin dhe shembuj më të freskët, me pamje filmike, të ndërhyrjes policore ndaj gazetës “Zaman”, pak ditë përpara mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të së dielës.

Komisioneri për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Europës, Nils Muiznieks bëri thirrje ndaj politikanëve për të ndaluar ligjëratat nxitëse kundër gazetarëve. KE, OSBE dhe Këshilli i Europës, sipas tij, duhet të punojnë nga afër për mbrojtjen e lirisë së shprehjes, edhe në mediat sociale, ndërsa kujtoi se “shpifja mbetet një problem në Europë, përfshirë vendet e BE-së”.

Në të njëjtat linja, zëvendëspresidentja e Parlamentit Europian, Lunaçek, dikur gazetare në Austri, tregoi se liria e medias has vështirësi edhe në Itali e Hungari, “por autoriteti qëndron tek kurajoja për të folur, për të kritikuar dhe për të hetuar”, tha ajo.

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Florian Rauning foli përgjithësisht mbi vështirësitë e mediave ballkanike dhe veçoi me shqetësim për Shqipërinë, konkretisht gjendjen e transmetuesit publik. Konferenca e radhës pritet të mbahet në një prej vendeve të Ballkanit gjatë vitit 2017.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA