Rumani, dorëhiqet kryeministri Ponta; protesta për zjarrin në klubin e natës me 32 të vdekur

04/11/2015 00:00

Kryeministri i Rumanisë, Victor Ponta pritet të japë dorëheqjen gjatë kësaj të mërkure, një ditë pas protestave masive të mbajtura në vend me kërkesën për largimin e kabinetit qeveritar, për shkak të zjarrit masiv që shkaktoi 32 të vdekur e që ra brenda një klubi nate.

Lajmi është bërë i ditur nga kreu i socialdemokratëve në pushtet, Liviu Dragnea. “Victor Ponta do të dorëzojë mandatin. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi për atë çfarë ndodhi. Kjo është një çështje serioze, ndaj dhe premtojmë një zgjidhje të shpejtë të kësaj situate”, tha Dragnea përpara reporterëve në Parlament. “Me siguri i vutë re edhe mijëra marshuesit e një dite më parë, si dhe kërkesat e tyre”.

Pikërisht mbrëmjen e së martës, me mijëra rumunë zbritën nëpër rrugët e qyteteve të mëdha të Rumanisë duke kërkuar largimin e qeverisë, teksa numri i viktimave nga zjarri i rënë në klubin e natës pak ditë më parë shkoi në 32, ndërkohë që dhjetëra të tjerë janë në gjendje kritike për jetën në spital.

Të irrituar për mënyrën sesi autoritetet pajisin me leje dhe inspektojnë vendet publike, protestuesit marshuan rrugëve mbrëmjen e djeshme duke mbajtur parrulla si “korrupsioni vret” dhe duke thirrur në kor “Vrasës!”. Fatkeqësia e fundjavës së kaluar shënon edhe një nga rastet më të rënda në dekadat e fundit në Rumani.

Në Bukuresht, rreth 20 mijë njerëz marshuan përpara selisë së Qeverisë dhe Ministrisë së Brendshme, ndërkohë që protestat u përhapën edhe në qytetet qendrore të Rumanisë, si Brashovi dhe Plojeshti. Ndërkohë, protesta të tjera ishin paralajmëruar se do të mbaheshin përmes organizimeve në rrjetet sociale për ditët e ardhshme, por nuk dihet nëse do të vijohet me to tashmë që kryeministri ka njoftuar dorëheqjen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA