Është hera e dytë brenda një viti që gazeta e madhe britanike “The Telegraph” shkruan për tregun imobilar në Shqipëri.
Duke e cilësuar vendin tonë një vend të vogël, por të bukur që ka dalë nga një regjim brutal komunist, në shkrimin e saj theksohet se Shqipëria ka shumë çfarë të ofrojë në tregun e shit-blerjes së pronave.
Duke përmendur faktin se Shqipëria ka 180 ditë me diell në vit, një kosto të ulët jetese, plazhe ranore të bukura dhe një reliev të mbushur me antikitete greko-romake, “The Telegraph” shkruan se qeveria shqiptare po ndjek një axhendë social-ekonomike dhe reformash politike që synojnë anëtarësimin e vendit në BE.
Gazeta nënvizon se çmimet e pronave në Shqipëri janë rritur me 20 për qind në vit gjatë 5 viteve të fundit dhe pritet të rriten më shumë nëse Shqipëria do lejohet të hyjë në BE.
Aktualisht çmimet e pronave dhe banesave janë thujase sa gjysma e atyre në Kroaci dhe shumë të ulëta krahasur me tregjet e konsoliduara evropiane.
Duke krahasuar çmimet e pronave me rivierën franceze, gazeta londineze shkruan se, ndërsa atje një metër katror kushton mbi 14 mijë euro, në bregdetin shqiptar një pronë shkon afro 1 mijë euro për metër katror.
Gazeta flet edhe për reformën rregullatore ku përfshihet edhe regjistrimi online i hipotekave apo kodet e reja të ndërtimeve, pa harruar edhe programin mbarëkombëtar për prishjen e ndërtimeve pa leje në disa zona bregdetare.
“The Telegraph” nuk harron t’u përmendë lexuesve britanikë edhe disa sugjerime se si të shmangin problemet kur dëshirojnë të blejnë prona në Shqipëri, si pronësinë e tokës apo pasja e avokatëve të pavarur dhe verifikimi i pronësisë së tokës edhe nga firmat ndërtuese.
Top Channel